Në komunën e Lipjanit, sot ka filluar zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve.
Nisjen e fushatës nga afër e ka përcjellë edhe drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shefqet Amërllahu, i cili ka uruar bujqit lipjanas për fillimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2018, pavarësisht asaj që nuk ka pasur rendimente të kënaqshme të grurit, për shkak të motit të lig që ka mbretëruar në komunën e Lipjanit.
“Rendimenti nuk është i kënaqshëm për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, por edhe cilësia e grurit nuk është e mirë dhe ka humbje të mëdha, megjithëse rendimentet tek ne shkojnë rreth 3.4 tonë për hektarë”, ka thënë drejtori Amërllahu.
Fushata e korrje-shirjeve pritet të përfundojë brenda dy – tri javësh, nëse mban moti i mirë dhe pa reshje.