Në Lozanë të shtunën inaugurohet shtatorja e Shën Nënë Terezës

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 14:39 | Nga

Lozana shumë shpejt do të ketë shtatoren e Shën Nënë Terezës, shenjtores katolike me kombësi shqiptare. Meritat për vendosjen e shtatores i ka një këshill iniciues i përbërë nga: Gjergj Prenkoçaj, prof. Ibrahim Syla, prof. Sabri Alidema, veprimtari Cen Kabashi, veprimtarja Fatime Kalimashi, Abée Christophe Godel – Mme Suzanne Duc.

Siç bën të ditur Gjergj Prenkoçaj në një bisedë për albinfo.ch, të shtunën, më 28.04.2018 në ora 16:30 nē qytetin e Lozanës, në adresën: Rte de Pavement 97, Eglise St Amedée, do të bëhet zbulimi, gjegjësisht inaugurimi i shtatores së Shë Nënë Terezes. Ai me këtë rast falënderon të gjithë bashkatdhetarët por siç e thotë: “në veçanti më ka bërë përshtypje gatishmëria e vëllezërve e motrave shqiptare të besimit Islam, të cilët u treguan të përgjegjshëm, dhe të përkushtuar, të na ndihmojnë nē mënyra të ndryshme, që të jenë pjesëmarrës nē këtë projekt madhështor për kombin e shqiptar”.

Skulpturën e shtatores së Nënë Terezës e ka realizuar artisti i njohur nga Prishtina, Agron Bytyçi, dhe ajo tashmë është vendosur në vendin ku do të inaugurohet, thotë Prenkoçaj për albinfo.ch.

Më tutje ai na njofton se për ketë inaugurim vjen enkas, Monsinjor Don Lush Gjergji prej Kosovēs. Po ashtu do të jetë i pranishëm kori i Kishës Katolike Shqiptare, misioni në Arau tē Zvicrës i drejtuar nga z. Don Prenkola. Ndërsa një nderim të veçantë manifestimit do t`ia bëjë prania e pasardhësit të Kryeheroit tonë, z. Loris Kastrioti Skënderbeu nga Italia, thekson ai.

Ardhjen e kanë konfirmuar edhe Ambasadori i Shqipërisë dhe Ambasadorja e Kosovës si dhe kryeimami nē Bernë të Zvicrës z. Mustafë Memeti.

Prenkoçaj tregon më tutje se është ftuar edhe At Nikolle Marku, nga Kisha Ortodokse Shqiptare, por për shkak të gjendjes shëndetësore, ai nuk do të ketë mundësi të vijë..

Në kuadrin e aktiviteteve të inaugurimit, do të jepet edhe një shfaqje teatrale, kushtuar jetës dhe veprimtarisë Humanitare të Shën Nënüe Terezës, përgatitur nga regjisori Valton Jakupi, drejtor i “International Film Europe”.

Po ashtu të pranishëm do të jenë, Shkolla Shqipe e Mësimit Plotsues në Lozanë (LAPSH “Naim Frashëri”)” si dhe shoqatat kulturore artistike “Teuta” dhe “Ilirët” të Lozanës.

Manifestimin do ta nderojnë me praninë e tyre edhe personalitete të politikës së qytetit të Lozanës e kantonit të Vaudit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme