Në Maqedoninë e V. arrijnë 3.000 vaksina ruse

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Të dielën në Maqedoninë e Veriut kanë arritur 3.000 vaksina ruse Sputnik V, nga rreth 200.000 sa janë porositur nga Rusia për vaksinimin e popullatës për mbrojtje nga koronavirusi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili së bashku me ambasadorin rus Sergej Bazdnikin, kanë dalë për të pritur vaksinat në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, tha se këto doza do të vaksinohen personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe kategori tjera ndërsa theksoi se vaksina është e sigurt.

Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do të vazhdojnë bisedimet edhe për sigurimin e dozave tjera, me qëllim vazhdimin e imunizimit të popullatës, bazuar në planin nacional për imunizim.

“Vaksina është e sigurt dhe efikase. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë popullit maqedonas me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta. Jemi të gatshëm që bashkëpunimin ta zgjerojmë edhe në sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergej Bazdnikin.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë arritur vetëm rreth 8.000 doza vaksinash të kompanisë amerikan Pfizer, edhe atë si donacion nga Serbia.

Me to janë vaksinuar punonjësit e Klinikës Infektive në Shkup, dhe të qendrave infektive të qyteteve tjera, si dhe punonjësit e qendrave COVID-19.

Opozita ndërkohë ka kritikuar qeverinë për dështim në sigurimin e vaksinave dhe përballjen me pandeminë, që sipas VMRO-DPMNE-së, dëshmohet me numrin e lartë të vdekjeve dhe rritjen e rasteve me këtë virus.

“Kjo qeveri mburret me një kuti të vaksinave të ardhura tani nga Rusia në Maqedoni, derisa në të njëjtën kohë në rajon dhe në botë masivisht vazhdon vaksinimi i popullatës. Maqedonia është vendi i fundit në Ballkan, në Evropë dhe në botë kur bëhet fjalë për vaksinimin. Fatkeqësisht, Maqedonia është e para për sa i përket vdekshmërisë kur bëhet fjalë për të vdekurit nga pandemia e COVID-19”, ka deklaruar Vlladimir Gjorçev.

Megjithatë, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë, që nuk ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme