Në Maqedoninë e Veriut deri tash 832 raste pozitive me Coronavirus dhe mbi 30 viktima

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Fundjavën që lamë pas në rrugët e Shkupit mund të shihje vetëm qentë endacakë, oficerët e policisë dhe një numër të vogël të personave që dalin me autorizimin.

Pjesa tjetër e qytetarëve në të gjithë vendin kaluan fundjavën në shtëpitë e tyre, pas vendimit të qeverisë për një shtetrrethim 52 orësh. Ky vendim për distancimin shoqëror erdhi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të fundit të përhapjes së virusit.

Me rreth me 2 milionë banorë, Maqedonia e Veriut deri më tani ka regjistruar 832 raste pozitive me COVID-19 dhe mbi 30 viktima. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili është mjek, thotë se këto masa janë miratuar pas konsultimeve me dhe në bazë të propozimeve të epidemiologëve.

“Unë besoj, dhe ne e kemi parë edhe përvojat e vendeve të tjera, që masa të tilla do të kontribuojnë në një rënie të konsiderueshme të kurbës së pacientëve të infektuar. Edhe tani kemi një rritje shumë të vogël të numrit të personave të infektuar dhe shpresojmë që ky numër të vazhdojë të bjerë me kalimin e kohës”, tha ministri Venko Filipçe.

Shqetësim mbetet shkalla e lartë e vdekshmërisë me rreth 5%. Shefi i Zyrës Kombëtare Koordinues për gatishmërinë dhe reagimin ndaj epidemisë thotë se ata janë të befasuar nga agresioni i viruseve.

“Ky është një virus specifik që sjell shkatërrim në trupin e njeriut. Sulmon jo vetëm mushkëritë, por edhe shumë pjesë të tjera të tilla si sistemi kardiovaskular, veshkat, mëlçinë … Kjo është një sëmundje që prek shumë sisteme”, tha Zarko Karagjovski.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme