Ata thonë se kujdesen për sigurinë e njerëzve dhe mbështesin punën e policisë. „Grupet mbrojtëse qytetare“ qarkullojnë në qytete. Deutsche Welle ka shoqëruar një grup ekstremist të djathtë gjatë patrullimit në Berlin.
“Hej, ju aty!”, u thërret Oliver Niedrich dy vajzave që para katedrales së Berlinit kanë mbledhur disa nënshkrime. Tani ato kalojnë para një burri me jelek të kuq. Niedrich dhe shokët e tij i kategorizojnë dy femrat si mashtruese ose hajdute xhepash, por këtë nuk mund ta provojnë. Skena që zhvillohet pak minuta polarizon njerëzit përreth. Një grua i falënderon djemtë për punën e tyre, kurse një kalimtar tjetër njofton policinë.
“Herë pas here ndeshim edhe njerëz që nuk na duan”, thotë Niedrich duke qeshur. Kur vjen polici, ai verifikon vetëm kartën e tij të identitetit. Kaq, jo më shumë. Niedrich e di: „Mbrojtja Qytetare” është legale, për sa kohë që ata nuk arrestojnë dikë apo ushtrojnë dhunë. Këta djem lejohet të mbajnë edhe jelekët e kuq.
Niedrich është njëri nga 20 anëtarët e iniciativës së Berlinit „Krijoni zona të mbrojtura”. Dy ose tre djem me jelekë të kuq dhe me një S të stilizuar kalojnë nëpër ato lagje të qytetit, që ata i konsiderojnë si vatra të kriminalitetit. „Krijoni zona të mbrojtura” gjermanisht: „Schafft Schutzzonen” – mund të shkurtohet me SS, si organizata famëkeqe e Hitlerit, SS-t „Schutzstaffel” në Rajhun e tretë. Sebastian Schmidtke e hedh poshtë këtë lidhje me vendosmëri.
Ekstremistë të djathtë dhe me vepra penale
Këtë fushatë për „zonat e mbrojtura” e ka krijuar partia ekstremiste e djathtë, NPD, partia nacionaldemokratike e Gjermanisë. Përfaqësuesit e saj thonë, se ata patrullojnë kryesisht në zonat turistike apo lagjet me shumë migrantë. Aty ata duan të kujdesen „për siguri dhe rregull.” „Shumë gjëra kanë ndryshuar me ardhjen e atë huajve”, thotë Sebastian Schmidtke nga dega e partisë NPD në Berlin, e që i organizon grupet e mbrojtjes. Sebastian Schmidtke është dënuar disa herë për nxitje të urrejtjes. „Ne kemi probleme aty, ku janë ngritur qendra azili”, thotë ai. Gjërat janë „zhvilluar negativisht. Ardhja e të huajve luan rol këtu. Dhe para realitetit nuk mund t’i mbyllësh sytë.”
Por në të vërtetë realiteti është një tjetër: Sipas të dhënave të autoriteteve, shifrat e kriminalitetit, si në Berlin edhe në Gjermani kanë rënë. Politikanët dhe sociologët janë të mendimit se këta ruajtës të vetëshpallur të rendit ndjekin qëllime të tjera, ndryshe nga ajo që thonë. Pra, nuk bëhet fjalë për siguri, por për të frikësuar migrantët dhe për të përdorur armiqësinë kundër të huajve për qëllime politike.
Autoritetet janë të alarmuara
Autoritetet e shohin me sy kritik aktivitetin e të ashtuquajturave „grupe mbrojtëse qytetare”, por i kemi duart të lidhura, për sa kohë këto grupime nuk kalojnë kufij të caktuar. Qeveria gjermane në një përgjigje të grupit parlamentar „E Majta” ka bërë të qartë: „Grupet mbrojtëse qytetare nuk kanë kompetenca më të zgjeruara se qytetarët e tjerë.” Me gjasë ka një „kufi të paqartë mes thirrjes për krijimin e ‚grupeve mbrojtëse qytetare‘ drejt një paraqitjeje të pavarur të tyre për siguri e rregull, përtej monopolit shtetëror të shtetit apo madje edhe veprimeve të dhunshme”.
Fenomeni nuk është i ri. Pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 u krijuan grupime të tilla të pavarura të mbrojtjes qytetare në lindje, e që kishin vërtet në fokus sigurinë në fshatra e qytete të vogla. Shumica nuk paraqesnin probleme. Por me shtimin e refugjatëve nga viti 2015, ato e ndryshuan fytyrën e tyre, thotë Bernd Wagner, kriminolog dhe drejtues i EXIT, një organizate që kujdeset për të ndihmuar ekstremistët e djathtë të dalin nga qerthulli ekstremist. Kurse mbi situatën në Berlin, Administrata e Senatit të Berlinit i shkruan Deutsche Welles se „ne i sigurisht i refuzojmë të ashtuquajturat gruppe të mbrojtjes qytetare dhe aksionet që kryejnë ato. Ka arsye të forta pse monopoli i pushtetit është në duar të shtetit”.
Edhe autoriteti i Mbrojtjes Kushtetuese në Berlin, shërbimi informativ i brendshëm gjerman, i ndjek fushatat e zonave të mbrojtura, ku NPD përpiqet të paraqitet si „forca mbrojtëse” kundër të supozuarës „dhunë e të huajve” dhe „si inskenuese e zonane No-Go”. Edhe qeveria gjermane pranon sipas raportimeve në media, se tek grupet e vetëshpallura të mbrojtjes qytetare „ka shenja të potencialit ekstremist të djathtë.”
Sebastian Schmidtke reagon: „Të na krahasosh ne me terroristët do të thotë të mos njohësh realitetin”, thotë funksionari i NPD-së, Schmidtke. „Ne patrullojmë, shohim, nëse ajo zonë është e sigurtë.” Schmidtke është i mendimit, se qytetarët e vlerësojnë patrullimin. „Për mua nuk ka rëndësi si emërtohem. Ne e bëjmë këtë nga bindja dhe e shohim si një gjë të arsyeshme. Nuk më intereson, nëse na quajnë ekstremistë të djathtë‘”, shprehet Sebastian Schmidtke. /DW/