Në Mitrovicë, gjendja e sigurisë vlerësohet stabile

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 10:07 | Nga

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur takimin e radhës, në të u shqyrtua gjendja e sigurisë në komunën dhe përgatitjet për festat e fundvitit.

Për gjendjen e Sigurisë në Komunën e tonë fillimisht  ka raportuar  kapiteni  Ahmet Xhosha, komandant i Stacionit Policor Jugu Mitrovicë i cili foli mbi rëndësinë e gjendjes stabile  në komunën.

“Gjendja e mirë dhe stabile në Komunën e Mitrovicës është si rezultat i angazhimit  dhe përkushtimit të Policisë, si dhe bashkëpunimit të mirëfilltë që e kemi me të gjithë qytetarët. Fatkeqësisht një rast i rëndë ka ndodhur kur është vra një i ri afër shkollave të mesme të komunës, gjë që i ka tronditur qytetarët”, tha ai.

“Ne shfrytëzojmë rastin që të apelojmë tek prindërit që të bashkëpunojnë ngushtë me fëmijët e tyre, t’i përcjellin veprimet e tyre që  i ndërmarrin,  si dhe  me kë shoqërohen, në mënyrë që t’i evitojmë problemet. Po ashtu kërkojmë  nga institucionet përkatëse që të shtojnë masat e kujdesit dhe të punojnë më shumë me të rinjtë”, ka thënë ndër të tjera komandanti Xhosha.

Ai ka thënë  në  vazhdim se krahasuar me vitin e kaluar, rastet e iniciuara sivjet janë zvogëluar për 8.1 %, vepra penale ka më pak për 12.7%, ndërsa raste kundër pasurisë, vjedhje e rëndë, tentim vjedhje kanë rënë për 9.8%.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën dhe përkushtimin e tyre, për të ndihmuar qytetarët e komunës. Ai  njëkohësisht  ka  kërkuar nga prindërit që të shtojnë kujdesin e tyre  ndaj fëmijëve,  sidomos gjatë festave të fundvitit,  sepse çdo shkrepje me mjete piroteknike-fishekzjarrë në mënyrë të pakontrolluar rrezikon  vet përdoruesin dhe qytetarët.

Po ashtu,  Dragaj kërkoj edhe  nga zyrtarët  e institucioneve shkollore të kenë kujdes të veçantë me nxënësit, t’i njoftojnë ata për rreziqet të cilat mund t’i hasin nëse veprojnë në kundërshtim me ligjin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme