Rritja ekonomike për vitin 2016 sipas vlerësimeve të BQK-së pritet të jetë 3.7 për qind, e cila pritet të gjenerohet nga rritja e konsumit dhe investimeve, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës për raportin e BQK-së për vitin 2015.
Me këtë rast, ai vuri në dukje punën e deritashme, gjendjen aktuale ekonomike, si dhe parashikimet e BQK-së lidhur me stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik gjatë këtij viti.
Sa i përket sektorit të kreditimit, sipas guvernatorit Hamza, në vitin 2015 vlera e kredive arriti shumën mbi 2 miliardë euro që paraqet një rrije vjetore prej 7.3 për qind.
“Struktura e kredive në sektorin bankar vazhdon të dominohet në sektorin e tregtisë, të cilat përfaqësojnë 51.2 për qind të kredive të sektorit të ndërmarrjeve”, ka thënë ai.
Ndërkohë sektori i sigurimeve, Hamza ka thënë se vazhdon të jetë më i brisht sa i përket performancës financiare, pasi që gjatë vitit 2015 humbja shënoi rritje.
Sektori i mikrofinancave dhe ai jobankar, sipas tij, vazhdojnë të shërbejnë si burim alternativ i financimit, sidomos te ekonomitë familjare. Vlera e kredive të këtij sektori arrit në 82.4 milionë euro, megjithatë ky sektor karakterizohet me norma të larta interesi.
Në këtë publikim raportohet mbi aktivitetet mbikëqyrëse, sistemin e pagesave, operacionet bankare, qeverisjen dhe aktivitete tjera të BQK-së për vitin 2015.
Pas raportimit të guvernatorit Hamza, deputetët e VV-së thanë se raporti i BQK-së ka prezantuar të dhëna të cilat nuk janë fare inkurajuese, për zhvillimin ekonomik të vendit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur që ta miratojnë raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2015 për shkak se nuk kishte kuorum, ndërkaq Raporti do të hedhet në votim gjatë seancës së radhës.