Qeveria shqiptare ka ndërmarrë vitet e fundit politika fiskale lehtësuese për të mbështetur biznesin, të cilat shpesh janë parë si instrument për tërheqjen e investimeve të huaja.
Kështu deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në Asamblenë e Përgjithshme të Konfindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve italianë në Shqipëri me temë “Investimet e huaja në Shqipëri, prezantimi i Guidës së Biznesit 2020”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Buçi, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, si dhe presidenti i Konfindustria, Sergio Fontana.
Ministrja Denaj vlerësoi se prezantimi i Guidës së Biznesit 2020 nga Konfindustria Albania tregon se mundësitë për të zhvilluar më tepër biznes në Shqipëri janë të mëdha, ashtu sikurse është i madh edhe potenciali ekonomik i vendit tonë.
“Investimet e huaja në Shqipëri janë një motor i nxitjes dhe zhvillimit të ekonomisë, ndërkohë që investimet italiane mbeten një tregues i konsoliduar. Fluksi i investimeve të huaja në 9-mujorin e vitit 2019 arriti në 810 mln euro”, tha Denaj.
Sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë, Denaj tha se, “ato kanë qenë gjithmonë në nivele shumë të mira, ku për vitin 2019 Italia është pozicionuar si vendi i parë për fluksin dhe stokun e investimeve të huaja direkte, me 32 për qind të IHD-ve në Shqipëri, sipas të dhënave të 9 mujorit. Për periudhën janar-shtator të vitit 2019, stoku i investimeve italiane në vend ka arritur shifrën e 805 milionë euro, ndërsa fluksi i investimeve italiane në vlerën e 98 milionë euro”.
Denaj u ndal në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, mundësuar përmes politikave të zhvillimit ekonomik, të cilat sipas saj kanë nevojë të ridimensionohen, dhe institucioneve.
Megjithatë, ajo theksoi nevojën për një parashikueshmëri të politikave fiskale dhe atyre të zhvillimit ekonomik, në periudhë afatmesme.
“Duhet të krijojmë mundësi që i gjithë regjimi fiskal të jetë më i lehtë, më i thjeshtë për tu kuptuar dhe aplikuar, e për të mos krijuar pastaj hapësira për informalitet dhe evazion, të cilat shpesh krijojnë konkurrueshmëri të padrejtë. Në këtë aspekt, mendojmë që thjeshtimi i politikave fiskale do të ndihmojë dhe në luftën kundër informalitetin. Vitin e kaluar kemi punuar me FMN për përgatitjen e një programi afatmesëm të të ardhurave që të kemi mundësi të sigurojmë një politikë më të qëndrueshme fiskale dhe për ta rishikuar atë pak më ngadalë, të paktën 3-5 vjet”, u shpreh ajo.
Sa i përket rolit të institucioneve në tërheqjen e investimeve të huaja, ministrja vlerësoi punën e bërë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve në raport me investitorët e huaj.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj u ndal në nismat e fundit që po ndërmerr qeveria, të cilat do të ndikojnë në lehtësimin e biznesit në vend, si: Revolucioni Digjital i shërbimeve, i cili për biznesin do të shkurtojë procedura dhe kohë; ligji i Fiskalizimit, i cili synon të luftojë informalitetin, evazionin dhe të vendosë konkurrencën e ndershme në treg, si dhe ligjin e unifikuar të Investimeve, i cili do të ofrojë më shumë siguri për investitorët e huaj dhe ata vendas, transmeton ATSH.
Fuqia punëtore e mirë përgatitur dhe trajnuar është e rëndësishme për tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë aspekt, ministrja Denaj pohoi se Shqipëria është atraktive për investitorët dhe vëmendja e qeverisë ndaj shkollave të arsimit profesional në vend është gjithmonë në rritje.