Hajnat kanë hyrë në njërin nga muzetë më të mëdhenj të artit në Dresden të Gjermanisë dhe kanë vjedhur objekte qe e arrijnë vlerën prej afër një miliard eurosh, njoftoi policia gjermane.
Në muze ata vodhën shumë artefakte pasi fillimisht e kishin ndezur një zjarr në orët e hershme të së hënës. Zjarri kishte ndikuar që të ndërpritet rryma dhe të mos funksiononte sistemi i alarmit.
Policia gjermane tha se kjo vjedhje është rasti më i rëndë i vjedhjes së veprave të artit në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
Një zëdhënës i policisë tha të hënën në mëngjes: “Mund të konfirmojmë se ka ndodhur një vjedhje në muzeun e Dresden-it. Personat e dyshuar janë në arrati”.
Sipas tabloidit “Bild”, hajnat duken se i kishin shënjestruar koleksionet e bizhuterisë, duke hyrë në ndërtesë përmes një dritareje në vogël.
Ky muze i ka dhjetë dhoma me rreth tre mijë pjesë të bizhuterisë dhe kryevepra të tjera. Ndërtesa e këtij muzeu ishte dëmtuar shumë në Luftën e Dytë Botërore, por ishte restauruar dhe ishte hapur përsëri për vizitorë në vitin 2006, shkruan “The Guardian”, transmeton gazetaexpress.