Statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë, kanë zbuluar se në muajin tetor kursimet e individëve, bizneseve e institucioneve kanë rënë me 2.6 miliardë lekë.
Tkurrja ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rënies së kursimeve në lekë, ku individët kanë vijuar të zbrazin depozitat me afat në monedhën vendëse, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme që ofrohen nga bankat.
Për kursimet njëvjeçare norma e kthimit është më e ulët se 1% dhe teksa inflacioni i ka kaluar 2%, përfitimi real është negativ.
Në tetor, depozitat me afat në lekë të individëve u ulën me 5.8 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro.
Në harkun e një viti, tetor 2015- tetor 2016, depozitat me afat në lekë kanë rënë me 40 miliardë lekë, apo rreth 300 milionë euro, duke u tkurrur me 12%, ku kryesisht kanë rënë kursimet me afat maturimi 1-vjeçar.
Këto para kanë shkuar drejt maturiteteve më të gjata, drejt blerjes së letrave me vlerë të qeverisë, apo ka dhe individë që janë tunduar në investime më të rrezikshme, si ajo në platformat online.
Depozitat me afat në lekë të individëve përbëjnë rreth 30% të totalit të kursimeve në vend.
Ndryshe nga leku, tendenca e kursimeve në valutë ka qenë në rritje, duke u zgjeruar me gati 7% në tetor me bazë vjetore, për të arritur në 516 miliardë lekë.
Kjo ecje me kahe të kundërta ka bërë që pesha e kursimeve në valutë të rritet në 52% të totalit në fund të tetorit 2016, nga 49.7% që ishte në tetor 2015.