Në paraburgim i dyshuari për dhunim e vrasje të të miturit, akuza edhe ndaj shtetit

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Para trupit gjykues, ka dalë i dyshuari për vrasjen e 12-vjeçarit në Fushë Kosovë.

Atij, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar masën e arrestit prej 30 ditësh.

E, pas seancës, ka folur avokati i të dyshuarit. Maloku tregoi se klienti i tij kishte pranuar fajësinë.

Mbi S. O. rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë dhe dhunë seksuale, që mund të çojnë në dënim me burgim mbi 25 vjet.

E për vrasjen e 12-vjeçarit nuk po fajësohet vetëm S. O.

Disa të rinj në Fushë Kosovë kanë hedhur ngjyrë para stacionit policor që, sipas tyre, simbolizon bashkëfajësi në vrasjen e të miturit.

Para policisë, aktivistët lanë edhe bluza të njollosura me ngjyrë të kuqe, e bënë thirrje për protestë kundër racizmit e neglizhencës së institucioneve.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbrojtur policinë duke thënë se ata kanë shumë punë.

Policia në Fushë Kosovë u arsyetua se kishte ngritur kallëzim penal për këtë rast dhe shtoi se askush nuk ka mundur ta parashohë vrasjen e 12-vjeçarit.

I mituri u gjet i vdekur në Fushë Kosovë një javë më parë, në afërsi të një banese. Prokuroria kishte bërë me dije se në trupin e tij kishte pasur shenja dhune.

Të ngjashme