Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 22 ligje në periudhën janar-prill 2018. Derisa deputetët e opozitës kanë fajësuar Qeverinë se po sjellin ligje të dobëta dhe me shumë mangësi, deputetët e partive në pushtet fajësojnë partitë opozitare se po humbin kohë me interpelanca të panevojshme, duke lënë anash agjendën e miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës.
Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës ka thënë për gazetën Insajderi se numri i ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti, pra nga janari 2018 deri tani është gjithsej 22.
“Ndërsa 35 projektligje janë në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij ka një dinamikë të përhspejtuar të miratimit të ligjeve krahasuar me perioudhën e njëjtë të viteve të kaluara. Kështu në periudhën janar-prill 2014 ishin miratuar 22 ligje, në janar-prill 2015 vetëm 5 ligje, janar-prill 2016-10 ligje dhe vitin e kaluar janar-prill 2017 ishin miratuar 16 ligje.
Vërejtje për punën e Kuvendit të Kosovës ka dhënë edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit në Kosovë.
“Fragmentimi dhe polarizimi i vazhdueshëm politik ka ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe ka ndikuar në efektivitetin e qeverisë. Disa veprime të papranueshme nga një numër i deputetëve gjatë periudhës raportuese, të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës, kanë ndërprerë procedurat parlamentare. Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018 ishte një përparim i rëndësishëm”, thuhet në raport.
Mungesa e ligjeve po pengon edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, shprehet se duhet të bëhet një harmonizim më i mirë i ligjeve dhe kjo nuk mund të arrihet pa një angazhim më të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Është e vërtetë që kemi ngecje në aktivitetet e Kuvendit të Kosovës dhe ajo që është më shqetësuese është dominimi i një agjende politike. Kemi një agjendë ku në tri vitet e fundit janë përmendur vetëm tri fjalë: demarkacion, asociacion dhe liberalizim”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se në Kuvendin e Kosovës “vërehet një paralizim i aktiviteteve”.
“Vetë fakti që kemi një numër kaq të vogël të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës është shqetësimi i parë. Dua të besoj që duhet të ketë një azhuritet më të madh, sepse çdo strategji, çdo ligj për investime strategjike dhe çdo reformë ekonomike fiskale ka nevojë për akte dhe nënakte ligjore dhe në këtë drejtim falë një mosperformimi të duhur të Parlamentit të Kosovës, ne ndodhemi në këtë stad ku jemi. Kur krejt kësaj i shtojmë skenat dhe diskursin e debatit në Kuvendin e Kosovës, janë me të vërtetë skena irrituese që dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij është e pafalshme mosprania e deputetëve, të cilët marrin paga në emër të popullit. “Shumë ligje të miratuara janë të përkthyera nga shtete të ndryshme evropiane, por kjo nuk do të thotë se domosdo do të jenë funksionale në Kosovë. Flitet për investime strategjike, flitet për zona ekonomike dhe procese të tjera ekonomike, por e tëra kjo nuk mund të jetë në funksion të zhvillimit, pasi shpesh kemi ligje kontradiktore. Prandaj duhet të ketë më tepër harmonizim ligjor, por kjo nuk mund të arrihet pa një angazhim shumë më të madh të atyre që janë zgjedhur për këtë punë”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, ajo që është më shqetësuese në Kosovë është fakti se mendohet më tepër për interesa të partive politike, duke i vendosur ato mbi interesat e shtetit.
“Duhet të kuptohet se mbi të gjitha është shteti dhe ne duhet të jemi në funksion të shtetit dhe në këtë drejtim mendoj se është një qasje e gabuar edhe e pozitës e cila nuk ofron alternativa, por të vetmen gjë që pretendon është që si opozitë ta rrënojë pozitën. Besoj se Kosova ka nevojë për unitet dhe deputetët e Kosovës duhet të mësohen për partneritet konstruktiv”, ka thënë Gërxhaliu për Insajderin.
Ministria e Financave njofton se në kuadër të Planit të punës ka përfshirë në Programin e saj për vitin 2018 edhe hartimin e Koncept-dokumentit për trajtimin e kuadrit ligjor të tatimeve dhe procedurave në fushëveprimin e Administratës Tatimore, me qëllim që të hapet rruga për ndryshim plotësimin e tre ligjeve ekzistuese tatimore si dhe hartimin e ligjit të ri për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Këto ndryshime do të ndikojnë në lehtësimin e procedurave dhe do të ndihmojnë bizneset në zhvillimin e tyre.
Ky Koncept-dokument po ashtu është i bazuar në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2017-2021 si dhe Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare për periudhën 2014-2018.
Në anën tjetër Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Kuvendi i Kosovës, sidomos në dy legjislaturat e fundit, ka probleme serioze me organizimin e punës së vet.
Ai ka thënë se praktika e mbajtjes së seancave plenare ditëve të enjte, siç madje parashihet edhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit sipas tij, ka kohë që nuk është duke u respektuar.
“Duke mos pasur një orar të rregullt për seanca plenare po prishen planifikimet e mbledhjeve të komisioneve parlamentare edhe të agjendave të deputetëve individualisht. Problem tjetër në Kuvend është Plani i Punës. Ky plan asnjëherë nuk përfillet dhe miratimi i tij bëhet më shumë sa për të përmbushur një obligim. Hartimi i planeve konkrete të punës dhe përfillja e tyre në mënyrë rigoroze do të ndikonte në efikasitetin e punës së Kuvendit”, thënë Krasniqi për gazetën Insajderi.
Në disa raste, disa prej ligjeve janë kthyer mbrapshtë nga presidenti i vendit. Kështu javë më parë, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Neni 34 i Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, nuk është në pajtim me Nenin 7, Nenin 24 dhe Nenin 119 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, që në pajtim me Nenin 22 të Kushtetutës zbatohet drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe ka prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave të ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike.
Thaçi vlerëson se futja e kuotës së ndërlidhur me gjininë vetëm për bordet e drejtorëve të shoqërive aksionare, siç është bërë në Nenin 34 të Ligjit Nr. 06/L – 016 për Shoqëritë Tregtare, duke përjashtuar llojet e tjera të shoqërive tregtare, përmes të cilave mund të zhvillohen veprimtaritë ekonomike në Kosovë, ngushton zbatueshmërinë e garancive kushtetuese dhe ligjore për barazinë gjinore.