Deri më tani në Podujevë nuk ka asnjë rast të ri të infektuar me Coronavirus. Këtë e ka bërë të ditur përmes telefonit për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Nexhmi Rudari.
Sipas tij, edhe gjendja e dy pacientëve është stabile.
“Deri më tani nuk ka informata se ka raste të reja me Coronavirus. Gjendja momentalisht është stabile. Edhe gjendja e dy pacientëve është stabile”, tha ai.
Rudari tregoi se edhe sot po vazhdon shpërndarja e pakove ushqimore në fshatrat të cilat janë në karantinë.
“Sot jemi duke shpërnda pako ushqimore në fshatrat në karantinë, po e bëjmë përmes Kryqit të Kuq. Jemi duke vazhduar edhe me dezinfektimin e institucioneve tjera shëndetësore, por edhe të tjerave”, tregoi Rudari.
Megjithatë, Rudari thekson se vazhdojnë të përballen me mungesë të mjeteve mbrojtëse, raporton EO.
“Mjete të mjaftueshme nuk kemi. Apeloj në Ministrinë e Shëndetësisë të na pajis me mjete mbrojtëse sidomos për personelin shëndetësorë por edhe për policinë dhe zjarrfikësit”, tha Rudari.
Një ditë më parë në Kosovë u shënua edhe vdekja e parë nga Coronavirusi. Pacienti 82 vjeçar ishte nga Dumnica e Podujevës i cili ishte pranuar në Infektivë më 16 mars në ditën e gjashtë të sëmundjes.
Të dielën nurmi i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 33.