Sindikata e Policisë së Kosovës, përkatësisht seksioni i femrave, në bashkëpunim me FES Kosova dhe OPIC, ka mbajtur konferencën “Të drejtat dhe pozita e femrave të punësuara në polici dhe mbrojtja e të drejtave të tyre në punë”.
Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës të Policisë së Kosovës tha se nga 8430 të punësuar në Policinë e Kosovës, 14.35% e tyre janë femra, raporton Ekonomia Online.
“Prej tyre, 2 kolonele, 4 nënkolonele, 6 majore, 6 kapitene, 35 togere, 113 rreshtere, 709 zyrtare policore dhe 355 të personelit civil”, është shprehur Kamberi.
Ajo ka përmendur dhe sfidat me të cilat përballen këto femra duke të qenë të punësuara në polici.
“Brenga kryesore e të gjithë të punësuarve mbetet mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe atyre jetësore. Shtyrja e afatit për imlementimin e ligjit është e pajustifikueshme. 19 pjesëtarë kanë rënë gjatë ushtrimit të detyrës,” deklaroi Kamberi.
Ajo ka ritheksuar nevojën për hapjen e zyrës së avokaturës në kuadër të Policisë së Kosovës.
Kamberi ka kërkuar edhe zbatimin në tërësi të Kontratës Kolektive dhe hartimin dhe implementimin e Kontratës Kolektive Sektoriale.
Avni Ajdini, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e vlerësoi lartë domosdoshmërinë e barazisë gjinore në shumë sektorë, raporton EO.
“Femra kudo është shtylla kryesore e shoqërisë qoftë në një sistem të zhvilluar, apo të pa zhvilluar. Ju dhe vetëm ju do të jeni baza e tashme e të ardhmes për jetën tuaj, për zhvillimin tonë. Pa emancipimin e gjinise femërore nuk ka shoqëria zhvillim, edukim. Duhet të luftohet që të arrihet barazia gjinore,”
Në fillim të kësaj konference u shfaq një film dokumentarë i Policisë së Kosovës.