Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, nëpërmjet disa postimeve në rrjetin social Twitter thotë se dërgimi i një zyrtari ndërlidhës i Europol-it në Policinë e Shtetit të Shqipërisë nga janari 2019, është një hap i rëndësishëm.
Kjo pasi sipas tij do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekzistues ndërmjet forcave policore të MSH-s dhe BE-s.
“Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet për BE, Europol dhe Italinë, të cilat së bashku me Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe Britaninë e Madhe kanë ngritur rrjetin ON për të forcuar bashkëpunimin e tyre kundër grupeve kriminale të stilit mafioz, duke përfshirë krimin e organizuar shqiptar”, u shpreh ndër tjerash Soreca.