Të pyetur se si e vlerësojnë vitin 2017, qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online janë shprehur të pakënaqur, më së shumti, me punën e institucioneve të vendit.
Shefqet Gajtani, i cili ka ardhur nga diaspora për festat e fundvitit në Kosovë, tha se udhëheqësia aktuale nuk ka bërë asgjë për popullin.
“2017-ta për mua ka qenë njësoj normalisht, ama për popullin e Kosovës ka qenë katastrofë. Udhëheqësia aktuale nuk bën asgjë për popull, nuk bën asgjë për vend, kjo është katastrofa më e madhe që ekziston në botë. As në Afganistan nuk është kjo gjendje. Në 2018-ën shpresoj që kjo udhëheqësi të largohet sa më parë e vjen dikush që e qet vendin në rregull që e qon përpara”, tha ai.
Ramadan Murati tha se presin që në vitin 2018, në Kosovë do të bëhet më mirë në aspektin ekonomik.
“Po mirë, deri dikund, si gjithë shqiptarëve edhe mua. Në 2018 mbajmë shpresa që po bëhet më mirë, ekonomikisht, politikisht sepse kohëve të fundit jemi në gjumë. Shpresa thonë vdes e fundit, po shpresojmë me u bë më mirë”, tha ai.
Enver Dermaku tha se në vitin 2018 presin nga institucionet të bëjnë më shumë për shtresën e popullsisë që jetojnë në varfëri.
“Presim nga 2018 që sigurisht do të ketë suksese pak më të mëdha. Në përgjithësi po flas ishalla këtë udhëheqësit tanë besoj që do të mendojnë edhe për ne edhe për popullin sepse ka një shtresë bukur të varfër edhe le të mendojnë edhe për ta””, tha ai.
Ndërkaq Dardan Rexha vitin që po lëmë pas e konsideroj të suksesshëm.
“Kogja mirë për mua u kon i suksesshëm viti 2017, kam kry fakultet, jom hi n punë”, tha ai.
Edhe Arlinda Bruqi e konsideroi si vit të suksesshëm vitin 2017.
“2017 ka qenë një vit i mbarë, një vit i suksesshëm, për mu faktikisht ka qenë i suksesshëm ka qenë viti kur edhe kam perfundu masterin kështu që pres prej 2018-ës shëndet, paqe dhe dashuri për të gjithë”, tha ajo.