Xhamia do të ketë sipërfaqe prej afërsisht 850 metrash katrorë dhe me kapacitet për 350 persona, ndërsa ajo nuk do të ketë minare.
Pritet që ndërtimi i xhamisë në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, të përfundojë dhe të dorëzohet në muajin prill.
Sipas të dhënave që ka siguruar Anadolu Agency nga kompania e ndërtimit, ndërtimi i xhamisë, i cili kishte filluar në muajin nëntor, do të përfundojë brenda afërsisht dy muajve.
Thuhet se punimet janë duke vijuar në përputhje me planifikimin, ndërkohë që ka arritur në fazën e fundit ndërtimi i skeletit metalik të xhamisë. Parashihet që brenda një jave të kalohet në strukturimin e brendshëm dhe instalimin elektrik.
Ndryshe, ndërtimi i xhamisë që po vazhdon në një ish-kompleks të Flotës Ushtarake Greke në lagjen Votanikos, ishte marrë përsipër nga një konsortium katërpalësh pas vendimit të marrë në gusht nga Kuvendi.
Xhamia nuk do të ketë minare
Xhamia do të ketë sipërfaqe prej afërsisht 850 metrash katrorë dhe me kapacitet për 350 persona, ndërsa ajo nuk do të ketë minare. Sipas planit, në xhami është përfshirë edhe një park fëmijësh dhe një shatërvan. Ndërkaq, buxheti i ndarë për xhaminë arrin vlerën prej 887 mijë eurosh.
Athina është kryeqyteti i vetëm në Evropë në të cilin nuk gjendet xhami e hapur për rituale fetare. Ndërtimi i saj, edhe krahas vendimeve të marra, ishte i pamundur të fillohet për shkak të zgjatjes së procedurave burokratike, pengesave ligjore dhe reagimeve nga qarqet e djathta ekstreme. Sipas planit aktual, vendimi për xhaminë fillimisht ishte marrë në vitin 2006.
Pas përfundimit të ndërtimit, kryesimi i xhamisë do t’i dorëzohet një bordi i cili do të caktohet nga Ministria e Arsimit dhe Çështjeve Fetare e Greqisë dhe do të përbëhet nga dy nëpunës shtetërorë dhe nëpunës bashkiak, si dhe përfaqësues të komuniteteve muslimane.
Ndryshe, muslimanët në Athinë i kryejnë ritualet e tyre në faltore nëntokësore të cilat i kanë themeluar me mundësitë e veta.
Pas hapjes së xhamisë, rreth 70 faltoret e qytetit do ta kenë të detyrueshme të marrin leje në mënyrë që të vazhdojnë me shërbime.