Projektligji për ndërtimet pa leje ka dështuar të miratohet në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.
Shkak për këtë është bërë mungesa e kuorumit. Dy subjektet opozitare LDK-ja e VV-ja, kanë braktisur seancën, ndaj miratimi i Projektligjit është bërë i pamundshëm.
Një votim i ngjashëm ka dështuar edhe një javë më parë, për të njëjtat arsye.
Miratimi i Projektligjit për ndërtimet pa leje do të mundësonte fillimin e procedurës për legalizim të mbi 300 mijë ndërtimeve të tilla në gjithë Kosovën.
Vetëm në kryeqytetin kosovar, janë identifikuar afro 46 mijë sosh. Zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri, ka thënë se komuna është në proces të pranimit teknik të disa objekteve të ndërtuara.
“Nga lëndët e mbetura të pakompletuara qe shumë vite, kanë qenë 72 aplikime, kurse sivjet kanë aplikuar edhe 19 raste të tjera. Deri tash, vetëm 7 raste kanë marrë pranimin teknik në Inspektorat dhe janë bartur në Urbanizëm për certifikatë të përdorimit, si dhe 8 raste të tjera janë pranë përfundimit” , ka thënë Tahiri