Mbështetja financiare mbetet një prej problemeve kryesore në fushën e kulturës jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet e rajonit.
Pjesëtarë të komunitetit artistik, organizatorë festivalesh nga vendi, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, kanë ndarë përvojat e tyre dhe sfidat me të cilat ata ballafaqohen, specifikisht në organizimin e ngjarjeve muzikore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sebep për këtë takim është bërë edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”. Konferenca “Festivalet: Prospekti Ballkanik dhe Evropian”, të hënën shërbeu si takim prezantues i ideve për bashkëpunim në të ardhmen.
Kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi ka numëruar vështirësitë me të cilat përballen për organizimin e festivalit “ReMusica”. Ai ka thënë se mbështetja e vogël financiare nga shteti nuk e mbulon as 40 për qind të nevojës për programin që ky festival harton çdo vit.
Në anën tjetër Besa Luzha, drejtoreshë e “Chopin Piano Fest”, ka numëruar sfidat nga prizmi i saj. Ajo bashkë me Albert Hetën kanë diskutuar rreth rrjetëzimit në fushën e kulturës në vend, bashkëpunimet me shtete e tjera falë marrëveshjeve me ambasada dhe organizata të tjera.
Njëjtë sikurse edhe shumica e panelistëve, edhe Ibrahim Spahiq, president dhe drejtor i “X Biennial of Young Artist of Europe and the Mediterranean”, ka thënë se shtetet duhet bashkuar që të hapin dyer për të ardhmen.
Tamara Bruggermann, si përfaqësuese e EFA-s, ka ofruar mbështetjen e saj dhe ka inkurajuar përfaqësuesit e kulturës të vendeve të Ballkanit që të bëhen tok në projekte të përbashkëta. Ajo është edhe drejtoreshë e festivalit “Wonderfeel” .