Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës është hapur Qendra Dokumentuese me video e dokumente nga gjykimet e Tribunalit të Hagës.
Ata që e vizitojnë Qendrën Dokumentuese të hapur në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë do të kenë mundësi të shohin video-xhirime dhe dokumente nga gjykimet në Hagë të ish-drejtuesve të Serbisë dhe komandantëve të UÇK-së.
Qendra është hapur me bashkëpunimin e komunës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare, ndërsa është financuar nga ambasada zvicerane në Kosovë.
Në qendër mund të shihen pamje nga gjykimet e Sllobodan Milloshviqit, Vllastimir Gjorgjeviqit, Nikolla Shajnoviqit, por edhe Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt e të tjerëve.
Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha për KALLXO.com se Qendra Dokumentuese është bërë për të rijuar një kujtesë kolektive për krimet e kryera në Kosovë të dokumentuara nga tribunali.
“Prandaj ne e kemi përgatitur Qendrën Dokumentuese ku janë të ekspozume 9 video prej këtyre gjykimeve para Tribunalit të Hagës, të cilat në mënyrë multimediale e tregojnë se qysh janë hetu krimet në Kosovë, qysh janë rekonstruktu në fund, me çfarë verdikte gjyqësore janë përfundu ato procese”, shpjegoi Blakaj.
Përveç dokumenteve dhe videove, në këtë qendër vizitorët mund të shohin edhe dy ekspozita të përkohshme- ekspozitën e skulptorit Ismet Jonuzi dhe ekspozitën me fotografi të fotografit nga Zelanda e Re, Wade Goddard, i cili këto fotografi i ka bërë gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se Qendra Dokumentuese është mundësi për qytetarët, nxënësit, e studentët të mësojnë mbi të kaluarën me fakte të vërtetuara nga gjykatat.
“Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe duhet të ndërtojme të ardhme të bazuar në bashkëpunim, por vështirë se kjo mund të bëhet pa kuptuar në mënyrë të drejtë të kaluarën”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërsa Bekim Blakaj tregon për aktivitetet e ardhshme në këtë qendër, të cilat shpreson se do të zhvillohen një herë në dy muaj, ose çdo muaj.
“Ne shpresojmë që kemi me qenë nikoqirë të ekspozitave tjera, nikoqirë të publikimeve, dokumenteve dhe librave tjera, kemi me qenë nikoqirë të ligjeratave, të punëtorive, e pse jo edhe shfaqjes së filmave dokumentarë që kanë të bëjnë me këtë temë”, tha Blakaj.
Ekspozita me dëshmi e video nga gjykimet e Tribunalit të Hagës, sipas Blakajt do të qëndrojë në Kosovë për 10 deri 15 vjet, edhe pse kohë pas kohe pritet të udhëtojë edhe në qytete tjera të rajonit.
Blakaj shpjegoi se në Qendrën Dokumentuese në të ardhmen do të tentohet të sigurohen edhe materiale nga gjykimet e Gjykatës Speciale.