Në kryeqytetin e Kosovës, të hënën në mbrëmje, është hapur “Antica Pizzeria Da Michele”, një bashkë-investim italian dhe kosovar.
Sipas pronarit të “Da Michele Kosovo”, Berat Rukiqi me hapjen e kësaj picerie është sjellë një standard tjetër në Kosovë.
“Po tentojmë që të promovojmë stabilitet dhe një ambient normal për investime. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi insistuar, pavarësisht skepticizmit italian që të jetë prezent”, tha Rukiqi, për Ekonomia Online.
“Ne kemi ta ofrojmë këtë garanci dhe të jemi prezent bashkë me ta”, shtoi ai.
Piceria “L’Antica Pizzeria Da Michele: për herë të parë është hapur në vitin 1870 në Napoli të Italisë, dhe përgjatë 153 viteve ka marrë shumë herë çmime në shumë vende të botës për picat me shijen më të mirë unike napolitane.
Në hapjen solemne ishin të pranishëm shumë mysafirë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës së Italisë në Kosovë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku; përfaqësues nga Komuna e Prishtinës e të bizneseve të ndryshme.
Francesco De Luca, që është nga gjenerata e pestë e familjes që themeloi brendin tanimë të njohur, tregoi se kjo piceri është themeluar para 153 vjetësh.
“Ne vijmë në Kosovë për herë të parë me këtë brand dhe për ne është shumë e rëndësishme. L’Antica Pizzeria Da Michele është themeluar 153 vjet më parë në Napoli dhe ishte një piceri e vogël e qytetit. Në pesë gjenerata, ne jemi rritur dhe jemi bërë brend”, tregon De Luca.
Në menunë kryesore të kësaj picerie është Margarita dhe Quattro Formaggi (me 4 lloje të djathërave).
“Jemi specialë sepse ne i përzgjedhim të gjithë përbërësit e picës, sepse janë rëndësishëm për këtë produkt”, u shpreh De Luca.
Investitorët treguan se kanë sjellë staf që kanë punuar në Itali për t’i ofruar shkathtësitë te personeli lokal. Ndërkohë edhe çmimet do të janë të krahasueshme me tregun vendës.
Berat Rukiqi, ish- drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, ishte fjalëpak pas prerjes së shiritit në mënyrë simbolike.
“Shumica e njerëzve kanë ardhur më shumë për të shijuar picat se sa fjalimin, andaj t’i shijojmë”, u shpreh ai.