Në Prizren është restauruar edhe një ndërtesë e trashëgimisë kulturore

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 13:09 | Nga

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vazhduar edhe këtë vit restaurimin e ndërtesave të trashëgimisë kulturore. Njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Puka.

Shtëpia e familjes Puka gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e tetë (Zona e banimit sipas trendeve aktuale të ndërtimit) sipas Planit të konservimit dhe zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërtesa gjendet në lagjen e vjetër të ashtuquajtur Qafa e Kishës, e rrethuar me ndërtesa të banimit individual.

Shtëpia i takon tipit të banesave të mbyllura me kat, me fasadën ballore të orientuar kah oborri perëndimor. Ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhes dhe kat.

Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, shtëpia është vlerësuar në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohej nga dëmtimet e mëtutjeshme.

Problemi kryesor ishte depërtimi i lagështisë nga struktura e amortizuar dhe e dëmtuar e kulmit, deformimi i strukturës së mureve dhe depërtimi i lagështisë nga toka.

Pas vlerësimit të dëmeve dhe hartimit të projektit për gjendjen ekzistuese dhe ndërhyrjet konservuese në ndërtesë, janë implementuar ndërhyrjet e restaurimit të pjesshëm, me ç’rast janë kryer këto punë: Shtangimi i strukturës së mureve dhe formimi i skeletit metalik mbajtës të konstruksionit të kulmit; Rindërtimi i strukturës së kulmit me të gjitha elementet përcjellëse; Restaurimi i nyjes sanitare duke përfshirë edhe ndërhyrjet dhe instalimet e reja; Restaurimi i murit jugor; dhe restaurimi i tavanit të çardakut.

Të ngjashme