Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, sot mori pjesë në përurimin e fabrikës së ambalazhit dhe paketimit “Kosova Pack”, në Prizren.
Ne fjalën e saj, ministrja Bajrami, përgëzoi pronarët për hapjen e kësaj fabrike e cila punëson 30 punëtorë. Ajo potencoi se fuqizimi i aktivitetit prodhues është rruga më e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, për zbutjen e disbalancit tregtar të Kosovës, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ajo theksoi se qeveria e Kosovës po vazhdon të punojë shumë në përmirësimin e mjedisit afarist në vend. “Kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme deri tani dhe po vazhdojmë t’i monitorojmë efektet e tyre në vazhdimësi dhe në bashkëpunim me asociacionet e biznesit,” tha ministrja, e cila shtoi se “falë bashkëpunimt të ngushtë me komunitetin e biznesit ne po punojmë në përmirësimin e vazhdueshëm të politikave dhe legjislacionit i cili favorizon aktivitetin prodhues, lehtëson procedurat dhe redukton koston operative të biznesve.”
Tutje, ministrja Bajrami tha se “ne si qeveri iu jemi mirënjohës afaristëve tanë të vyeshëm të cilët me guximin dhe talentin tyre po vazhdojnë me intenzitet gjithnjë e më të lartë punën e tyre prodhuese me iniciativa dhe ide të reja.” Hapja e kësaj fabrike është konfirmim i asaj se ne kemi një plejadë të afaristëve të sukseshëm të cilët po bëjnë punë të jashtëzakonshme, dhe në këtë kontekst institucionet shtetërore e kanë për obligim që të ndihmojnë dhe të stimulojnë fuqishëm aktivitetin prodhues por edhe të ndihmojnë në promovimin e produkteve para konsumatorëve nga vendi dhe nga jashtë, potencoi ministrja Bajrami.
Ajo nënvizoi se është kënaqësi të shohim se kompanitë tona po adoptojnë po ashtu standarde të larta të cilësisë së produkteve falë aplikimit të metodave dhe teknologjive moderne të cilat po i instalojnë dhe kështu po hapin rrugën drejt tregjeve jo vetëm në vend por edhe atyre të huaja, si konkurrentë të denjë.
Ministrja Bajrami u zotua se qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për të punuar ngushtë me afaristët tanë në mënyrë që të rritet volumi i prodhimeve nga vendi, por edhe të lobojmë më shumë që produktet tona të pozicionohen më mirë në tregjet tona dhe në tregjet regjionale dhe ndërkombëtare.