Sot (3 prill 2018) duke filluar nga ora 17:00 në ‘Kino Lumbardhi’, në Prizren, do të bëhet hapja solemne e hapësirës Multi-Funksionale për të rinj.
Të rinjtë nga Kosova, Diaspora dhe Rajoni – Sara Brari, Samra Radoncic, Fitim Veliu, Dardan Isufi, Klaudjo Kavaja, dhe Lekë Lleshi – gjatë Shkollës së Diasporës në Kosovë, panë se nevoja për një hapësirë dedikuar të rinjve në Prizren, ku ata do të mund të takoheshin, të ndanin ide, bashkëpunonin e zhvillonin projekte, është shumë emergjente.
Kështu ata i vënë synimin vetes që t’iu ofrojnë të rinjve në Prizren një hapësirë të tillë, hapja e së cilës do të bëhet sot, dhe do të jetë në shërbim të të gjithë të rinjve në Prizren.
Kjo hapësirë me kapacitet prej 50 personave, do të jetë e hapur nga ora 09:00 deri në 23:00, nga e Marta deri të Dielën, dhe është e pajisur me mjete bazike që i nevojiten të rinjve si karrige, tavolina për shfrytëzim individual, dhe projektor, ekran për organizime si seminare, punëtori, takime grupore etj.
Tri ambientet sa do të mund të shfrytëzohen nga të rinjtë përbëhen nga:Ambienti i leximit – një hapësirë e vogël ku të rinjtë do të mund të lexojnë; Holli i hapësirës – e cila do të jetë në shfrytëzim si hapësirë pune dhe pjesa e jashtme të cilën të rinjtë mund të shfrytëzojnë më shumë për relaksim.
Të rinjtë që do të shfrytëzojnë këtë hapësirë, do të kenë në shërbim edhe një mini-bar nga ku mund të shërbehen me kafe dhe pije të tjera, ku do të punësohen edhe dy të rinjë nga kjo komunë.
Ky projekt doli fitues në Programin Shkolla e Diasporës në Kosovë – SHDK, nëpërmjet së cilës mori mbështetje në formë të grantit në vlerë prej 6000 EUR. SHDK është implementuar nga Organizata joqeveritare Germin, dhe mbështetur programi Rinia, Punësimi dhe Aftësitë, pjesë e Fondacionit Gjerman për Zhvillim Kosovar GIZ.