Fillimi i punimeve për ndërtimin e godinës së re të Shkollës së Mesme të Muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren është zvarritur, gjë që ka sjellë deri te skadimi i afatit të lejes ndërtimore për këtë projekt, të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prizrenit. Informatën mbi skadimin e kësaj lejeje e ka dhënë drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj, në mbledhjen e fundit të ekzekutivit lokal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë të dhënë Memaj e ka shpalosur pasi që në këtë takim drejtori i Arsimit, Skender Susuri, pati theksuar se së shpejti pritet të hidhet guri themeltar për ndërtimin e godinës së re të Shkollës së Muzikës.
“Kemi problem me projektin e Shkollës së Muzikës, sepse ka skaduar leja ndërtimore dhe duhet me rishikua lëndën”, ka thënë Memaj.