Në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, 60 thirrje për ndihmë në ditë

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 11:34 | Nga

Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë në ditë mund të pranojë deri 60 thirrje për ndihmë mjekësore.
40 deri 60 thirrje telefonike për ndihmë i arrijnë çdo ditë Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë.

Bujar Gashi, drejtori i kësaj qendre, thotë se ekipet e institucionit që drejton refuzojnë disa nga thirrjet, ndërsa zakonisht brenda 24 orësh u përgjigjen me intervenim në vend të ngjarjes 40 thirrjeve.

Gashi tregon se pse refuzohen disa nga ata që kërkojnë ndihmë.

“Ka thirrje të cilat refuzohen për shkak të natyrës jourgjente, ato këshillohen që të thërrasin shërbimin kronik. Disa prej tyre u jepen këshilla mjekësore në telefon, e disa te tjera udhëzohen që të vizitojnë qendrat e mjekësisë familjare”, shpjegon Gashi.

Thirrjet kjo qendër i pranon zakonisht prej orës 16:00 të pasdites e deri në 8 të mëngjesit, raporton kallxo.com.

Qendra i ka në gatishmëri tri ekipe e ndonjëherë edhe katër, ndërsa punon 24 orë me dy ndërrime.

Drejtori Gashi thotë se Qendra e Mjekësisë Urgjente ka numër të mjaftueshëm të autoambulancave.

“QMU ka mjaftueshëm autoambulanca për kryerjen e shërbimeve urgjente ne teren, deri ne muajin gusht do te pajisemi edhe me dy autoambulanca te reja te kompletuara me pajisje mjekësore nga Komuna e Prishtinës”, tregon drejtori Gashi.

Sipas një auditimi të brendshëm të Qendrës së Mjekësisë Urgjente është ardhur në përfundim se ekipet nisen në terren mesatarisht 40 sekonda pasi pranojnë thirrjen për intervenim urgjent.

Nga auditimi është konstatuar se mesatarja e kohës nga marrja e telefonatës deri te arritja në vendin e ngjarjes është 7 minuta e 33 sekonda.

Kallxo.com kishte shkruar për një rast të përleshjes mes familjarëve të një të akuzuari dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Pallat të Drejtësisë, kur për të kuruar lëndimet e pjesëmarrësve kishin ndërhyrë ekipet e Qendrës së Mjekësisë Urgjente.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme