Një baba ka raportuar në Polici se kunatat ia kanë rrahur vajzën, ia kanë marrë dy fëmijët dhe e kanë dëbuar nga shtëpia në Qifllak të Rahovecit.
Lajmin e ka konfirmuar Policia rajonale në Gjakovë.
“Me datë 22.12.2021, rreth orës 13:00 është inicuar procedurë hetimore për veprën penale Dhuna në familje, pasi që policia ka pranuar informatë përmes telefonit nga prindi i viktimës, e cili raporton se vajza e tij e cila është e martuar qe pesë vite në fshatin Qifllak, sot është rrahur nga dy kunatat e saj. Motrat e burrit, dy të dyshuarat e lartcekura, i kanë ndalur dy fëmijët e saj dhe e kanë dëbuar nga shtëpia”.
Nga Policia kanë njoftuar se njëra nga të dyshuarat është arrestuar, ndërkaq tjetra nuk është hasur në shtëpi.
“Njëra nga të dyshuarat është arrestuar dhe intervistuar për rastin e cila mohon në tërësi veprën ndërsa e dyshuara tjetër nuk është hasur në shtepi , të njëjtës ju është lënë ftesa të paraqitet në stacionin policor në Rahovec me qëllim të intervistimit. Pas intervistave është konsultuar Prokurori kujdestar, i cili udhëzon rastin në procedurë të rregullt. Për rastin është njoftuar Qendra për punë sociale dhe mbrojtesi i viktimave”./sinjal