Ndeshja ndërmjet AS Prishtinës dhe Trepçës do të shënojë rikthimin e basketbollit në Kosovë. Gara e basketbollit kthehet pas plot shtatë muajve. FBK-ja kishte ndërprerë garat për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe nuk i vazhdoi ato.
FBK-ja në fakt ishte federata e vetme e sporteve kolektive në Kosovë që vendosi t’i ndërpresë garat e edicionit 2020/2021 pa shpallur kampionët. Këtë vendim Federata e Basketbollit të Kosovës e mori më 31 mars, dy javë pas pezullimit të garave pas paraqitjes së rasteve të para me COVID-19 në vend.
Ndonëse nuk ishte shpallur kampioni, tabela ishte marrë për bazë sa i takon mbetjes në elitë. Rrjedhimisht luhen edhe ndeshjet e plejautit në mes të AS Prishtinës dhe Trepçës për një vend në Superligë në edicionin e ri.
Ndeshja e parë luhet të mërkurën (sot, 17:00) në palestrën “Don Bosko” në Prishtinë, kurse ndeshja e dytë të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Skuadra e Trepçës në edicionin e kaluar ishte e shtata në Superligë që i kishte nëntë skuadra gjithsej. Për bazë është marrë renditja në momentin e ndërprerjes. AS Prishtina në momentin e ndërprerjes ishte e dyta në Ligën e Parë dhe bazuar në vendim të FBK-së këto dy ekipe do të luajnë në plejaut për një vend në elitë.