Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur Sallonin e së Martës me temën “Luftimi i gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+: Cilat janë mënyrat?”, raporton Ekonomia Online.
Naim Qelaj, Avokat i Popullit, i cili ishte njëri nga panelistët, tha se çdo individ lind me të drejtën në identitet dhe me të drejta dhe se askujt nuk duhet që t’i pengojë përdorimi i të drejtave universale të njeriut.
“Secili individ lind me te drejtën në identitet; pra është parim universal. Dhe pse duhet me i pengu dikujt gëzimi i të drejtave të mia, nëse është e drejtë e imja, nëse është parim universal i pranuar nga të gjitha kombet e botës?! Mendoj që njëra nga faktorët që ndikon është ndikim i normave shoqërore, morale, zakonore, ka të bëjë me mungesë të dijes se çfarë janë të drejtat e njeriut. Në anën tjetër besoj që kjo bën që pastaj të ketë edhe paragjykime si shkak i mosnjohjes dhe mosinformimit”.
Avokati pati kritika për moskalimin e Kodit Civil në Kuvend, për shkak se u problematizuan, kryesisht nga deputetët e mazhorancës, dispozitat që rregullojnë martesën mes personave me gjini të njëjtë.
“Gjuha që u përdor në Kuvend gjatë votimit të Kodit Civil ka qenë e papranueshme. Kjo gjuhë e përdorur është e gabuar, kjo mund të quhet edhe si thirrje për të tjerët që të mos e pranojnë një gjë të tillë. Kjo bën që personat e komunitetit LGBTIQ+ të ndihen edhe te frikësuar dhe kanë frikë për jetën e vet”, tha ai.
Ai theksoi se gjuha e urrejtjes sa më shumë që përdoret nga zyrtarët e lartë, reagimi i publikut për ata që janë kundër të drejtave të komunitet LGBTIQ+ ashpërsohet edhe më shumë.
“Besoj edhe mendoj që shoqëria civile e ka kryer punën e vet. Sa më shumë të gjuhë të papërshtatshme dhe gjuhë të urrejtjes që përdoret nga zyrtarët e lartë, reagimi i publikut për ata që janë kundër të drejtave të komunitet LGBTIQ+ ashpërsohet dhe merr përmasa ashpërsuese. Prandaj ne kemi një numër shumë të vogël të rasteve të raportuara. Mendoj që heshtja nuk është zgjidhje. Ne duhet që të flasin për të drejtat. Duhet që të shtohen fushata vetëdijesuese, duhet që të bëhet e qartë që në një shoqëri demokratike”, tha ai.
Blendë Pira, Koordinatore e Programit në YIHR, tha se në rrjete sociale ka shumë gjuhë të urrejtjes, prandaj sipas saj frika tek komuniteti LGBTIQ+ është prezente.
“Nëpër rrjete sociale ka pasur shumë gjuhë të urrejtjes, ajo gjuhë ka dërguar deri në sulm. Prandaj frika është prezente… Besimi ne institucione mendoj që zvogëlohet shumë kur shihet se një gjuhë e tillë përdoret shumë nga ata që duhet që të mbrojnë këtë komunitet”, tha ajo.
Ajo shtoi se si organizata kanë bashkëpunim shumë të mirë me institucionin e Avokatit të Popullit dhe institucionet e tjera.
“Mundem me thënë që tash e katër vite kemi filluar takime me aktorët shtetërorë për diskutim në lidhje me raportet. Po mund të them që kemi një bashkëpunim të mirë me Avokatin e Popullit. Duhet që të punohet akoma për të arritur atë që duhet. Ne jemi takuar edhe me kryeministrin dhe të gjitha rekomandimet i kemi paraqitur, po presim takim edhe me presidenten dhe kryeparlamentarin”, tha ajo.
Erza Kurti, Menaxhere e Programeve në CEL, tha se gjuha e urrejtjes në shoqëri kosovarë është shumë e përhapur ndaj komunitetit LGBTIQ+, kjo sipas saj ndodh për shkak se ky komunitet ende nuk pranohet nga shoqëria.
“Këtu u përmend edhe gjuha e përdorur në seancë. Normalisht që ka qenë një diçka që është shumë problematike dhe me pa një gjuhë që e kanë përdorur ndaj një komunitet nga deputet është shumë e papranueshme sepse kjo ndikon tek masa. E dimë që Kuvendi i Kosovës është një institucion i lartë dhe personat që kanë autoritet normalisht që nuk ish dashtë që të kenë agjendë të gjuhës së urrejtjes. Sepse nga kjo gjuhë e përdorur normalisht që rrjedh edhe dhuna”.
Ajo foli edhe për edicionin e 7-të të Paradës së Krenarisë, i cili u mbajt para disa ditësh në qendër të Prishtinës dhe pjesëmarrja ka qenë e madhe.
“Ne dalim në media dhe fokusi i mediave është më i madh gjatë asaj kohe sesa gjithë vitit. Në rrjetet sociale shohim se komente janë të shumta, ka pasur komente të shumta negative, komente jo vetëm që nuk pajtohen por janë komente që janë kërcënime ndaj komunitetit. Nëpër gjitha rrjete sociale i kemi parë”, tha ajo.
Ajo shtoi se parada e mbajtur këtë vit nuk ishte përkrahur nga Komuna e Prishtinës.
“Komunitete LGBT kanë nevojë për mbështetjen institucionale, jo vetëm me deklarata por edhe me veprime. Janë rritur rastet e vrasjes se personave LGBTIQ+, askush nuk flet për këto raste, policia nuk i kategorizon rastet. Nuk punohet mjaftueshëm nga institucionet. Gjatë kësaj parade, nuk e kanë gjetur përkrahje nga Komunës së Prishtinës. Realisht në vendet e tjera është ajo që komuna i përkrah. Vitin e kaluar ka ndihmuar pak, këtë vit nuk na ka ndihmuar fare”, tha ajo.