Rrugët lokale në 14 fshatrat e trevës së Rugovës as këtë dimër nuk do të ketë një operator të rregullt të kontraktuar për mirëmbajtje dimërore, ndonëse mirëmbajtja e rrugëve për fshatrat e Rugovës ka qenë pjesë e veçantë si (LOT-3) në kuadër të tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Komunën e Pejës.
Procedurat e tenderimit për “LOT-in 3”, që kishte vlerën tenderuese prej 30 mijë eurosh për tre vjet, komuna e kishte pezulluar në dhjetor të vitit 2016, menjëherë pas pranimit të ofertave, me arsyetimin se asnjëri prej dy operatorëve, sa kishin konkurruar, nuk kanë pasur ofertë të përgjegjshme, shkruan sot Koha Ditore.
Për “Lotin 1” për rrugët e qytetit dhe “Lotin 2” për rrugët e fshatrave në rrafshin e Pejës, janë përzgjedhur operatorët në vitin 2017, kurse “LOT 3”, komuna e kishte lënë që ta shpallë më vonë, por këtë nuk e ka bërë më as për këtë dimër. E vemja rrugë në Rugovë që ka operator të rregullt për mirëmbajtje dimërore është rruga kryesore prej Pejës deri në fshatin Bogë, e cila mirëmbahet nga operatori i kontraktuar prej Ministrisë së Infrastrukturës.