Në një palestër të vogël me emër të pazakontë, do të nisë stinori pranveror në Superligën e Kosovës në basketboll, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshja e parë e pjesës së dytë të kampionatit ndërmjet Lipjanit dhe Ponte Prizrenit do të zhvillohet të shtunën (sot) në palestrën “Better Life” (Jetë më e mirë) në Lipjan. Më e mirë shpresohet të jetë edhe gara në pjesën e dytë të edicionit në kampionatin e Kosovës në basketboll.
Në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe te klubet janë optimistë për një edicion të mirë, ndonëse dy prej tetë skuadrave janë të shkëputura nga pjesa tjetër. Për Z Mobile Prishtinën, me fondin aktual, vlerësohet se është dukshëm para ekipeve të tjera për nga cilësia. Ndërkohë Borea ka mbetur vetëm me lojtarë juniorë dhe pritjet janë që të kalohet fare lehtë nga të gjitha skuadrat e tjera.
Garë më e fortë pritet për pozitat prej dy deri në gjashtë, që dërgojnë në plejof, ndërsa në të do të përfshihen Golden Eagle Ylli, Rahoveci, Trepça, Bashkimi e Ponte Prizreni. Borea e Lipjani kanë mbetur më prapa me pikë, ndërsa Borea mezi siguroi mjetet për të garuar. Për Lipjanin, që për herë të parë luan në elitë, nuk vlerësohet të ketë gjasa të mëdha për të arritur në vendin e gjashtë, që dërgon në çerekfinale të plejofit.
Pikërisht një ndeshje në Lipjan hap stinorin pranveror. Lipjani në vjeshtë ndeshjet i ka zhvilluar në qytete të tjera pasi palestra e vogël në këtë qytet të vogël nuk i plotësonte kushtet. Janë bërë rinovime të nevojshme në “Better Life” dhe palestra është licencuar për ndeshje të Superligës.