Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë braktisur të martën një Konferencë për Çarmatim, në shenjë proteste ndaj caktimit të Venezuelës si vend kryesues i radhës i forumit të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara – duke e përsëritur veprimin e vitit të shkuar, kur në krye të forumit ishte Siria.
“Ne duhet të mundohemi të bëjmë krejt çfarë mundemi për ta penguar vënien e vendeve të këtilla në krye të trupave ndërkombëtarë”, ka thënë Robert Wood, ambasador amerikan për çarmatim, pas largimit nga seanca në Gjenevë, shkruan sot Koha Ditore.
“Një përfaqësues i Juan Guaidos, president i përkohshëm, duhet të jetë në krye të këtij trupi, duhet të jetë i ulur tani në atë karrige… Regjimi i mëparshëm i Nicolas Maduros është në esencë i vdekur, ama nuk do që ta braktisë pushtetin”, ka thënë ai, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Maduro, presidenti i kontestuar i Venezuelës, vazhdon ta mbajë kontrollin mbi institucionet shtetëror, e quan Guaidon një kukull të Washingtonit dhe fajëson sanksionet e SHBA-së për hiperinflacionin dhe krizën humanitare të vendit.