Në shënjestrën e “Syrit të Popullit”, pas Vllasit ishte Hajredin Kuçi

Prishtinë | 03 Mar 2018 | 08:29 | Nga

Murat Jashari i ka rrëfyer para hetuesisë dy versione rreth atentatit ndaj avokatit Azem Vllasi.

Herën e parë ka thënë se qëllimin e ka pasur vetëm ta plagosë, kurse herën e dytë që ta “likuidojë”.

Për këtë ngjarje ka thënë se e ka njoftuar menjëherë Avni Llumnicën. E ky i fundit e ka mohuar këtë. Ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë njohurie rreth planit të Jasharit, shkruan sot Koha Ditore.

Të dy deklaratat e Jasharit, ajo e Llumnicës, si dhe e tetë të akuzuarve të tjerë, të dyshuar si anëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustemat”, janë përfshirë në aktakuzën prej afro 100 faqesh të Prokurorisë Speciale, të cilën e posedon “Koha Ditore”.

Në procesin gjyqësor ndaj tyre pritet të dëshmojnë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeparlamentari, Kadri Veseli, ish-ministra, deputetë të pozitës e opozitës, si dhe personalitete të tjera publike.

Para organeve të hetuesisë ata kanë rrëfyer për lidhjet me të akuzuarit, si dhe për kanosjet eventuale nga anëtarët e kësaj organizate.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, si dhe Rexhep Topllana, dyshohet se aktivitetet në këtë organizatë i kanë filluar nga data 15 mars e vitit 2015. Prej atëherë, të akuzuarit dyshohet se kanë planifikuar fillimin e aksioneve, të cilat kanë pasur për qëllim destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike të Kosovës.

Ata, sipas Prokurorisë, kanë planifikuar sulme dhe vrasjen e personaliteteve më të larta shtetërore, duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në vitin 1991 e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016, përfshirë Thaçin, Veselin, ish-kryeministrin Isa Mustafa, ish-ministrin Hajredin Kuçi, Xhavit Halitin, Fatmir Limajn, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Sulmi i parë i planifikuar, i cili edhe ka ndodhur, ishte ndaj avokatit Azem Vllasi. Tani Prokuroria zbulon se pas Vllasit, ky grup ka pasur në plan që të vrasë ish-ministrin i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme