Ngjarja e Kavajës është një krim i tmerrshëm dhe barbar. Por përtej neverisë për dhunuesit dhe më shumë akoma për zyrtarët publikë që tentuan ta zbehin, ajo është një kambanë alarmi që ekspozon batakun ku po bie shoqëria shqiptare.
Në Shqipëri ka hyrë një frymë liberalizmi malinj, i cili ka filluar të degradojë familjet, por edhe normat morale në tërësi.
Ne po jetojmë në një shoqëri ku gjithmonë e më shumë konsiderohet si normale që një fëmije 13 apo 14 vjeç të ketë të dashur. Nuk është rast i izoluar, por po kthehet në normë.
Madje mund të dëgjosh prindër që krenohen se djali apo vajza e tyre 13-vjecare dalin me të dashurin. Edhe ata që nuk janë dakord, janë dorëzuar. S’kemi ç’bëjmë– thonë, kanë ndryshuar kohët. Kjo është çmenduri.
Ne çdo shoqëri të zhvilluar, marrëdhëniet e dashurisë nën moshën 16 vjeç konsiderohen anomali serioze. Madje në shoqëritë konservatore, ku institucioni i familjes është shumë i fortë konsiderohen absolutisht tëpapranueshme dhe të dënueshme.
Studimet më prestigjoze kanë dalë në përfundimin se një fëmijë nuk duhet të dalë në takim solo, të paktën deri në moshën 17 vjec. Çdo marrëdhënie para kësaj moshe është e dëmshme dhe mund të ketë pasoja afatgjata negative si për djalin ashtu dhe për vajzën.
Deri në atë moshe, fokusi i çdo fëmije-adoleshenti duhet të jetë shkollimi dhe të mësuarit për t’u bërë njeri. Ky duhet të jetë dhe shqetësimi kryesor i prindit.
Janë ca norma, të cilat mund të mos jenë të shkruara në ligj, por mbrohen nga konsensusi i pergjithshëm sepse përbëjnë themele shumë të forta mbi të cilat ngrihen shoqëritë e shëndosha.