Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili po qëndron për herë të parë në vendin tonë.
Edhe në takimin me kreun e ekzekutivit, i pari i futbollit botëror, ka qenë i shoqëruar nga presidenti Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini, si dhe delegacioni i FIFA-s, Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit.
Infantino ia dhuroi një fanellë Kurtit, kurse Kurti ia dhuroi një libër për Skëndërbeun.
Presidenti i FIFA-s ia dhuroi edhe një top Kurtit, me emrin e kryeministrit të Kosovës në të.
Por, kryeministri Kurti gjeti kohë që të tallej me opozitën e vendit në takimin me presidentin e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë.
“Meqenëse ma keni shkruar emrin këtu (në top), unë mund t’i them opozitës time se mund të më godas këtu”, i tha Kurti Infantinos.