Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë Kundër Trafikimit me Narkotikë, me datën 29 shkurt 2020, në tri operacione policore kanë kanë arrestuar 10 persona të dyshuar dhe kanë konfiskuar afro 60 kg substanca të dyshuara narkotike.
Bahri Shala, drejtor i drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka dhënë detaje për operacionet në një konferencë me gazetarë, raporton Ekonomia Online.
Operacioni kryesor policor është zvilluar mbrëmë rreth orës 21:00, në rr. Gjakovë-Klinë, ku pas një procesi hetimor dhe aplikimit të masave siç parashihen me ligjet në fuqi, janë ndaluar 2 automjete në të cilat dyshohej se po transportohej substancë e dyshuar narkotike. Hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës, në njërën nga automjetet e dyshuara kanë gjetë dhe konfiskuar disa qese të mbështjellura me substancë të dyshuar narkotike me peshë totale prej 57.5 kg.
Sipas Shalës, besohet se droga kishte destinacion shtetet e BE-së.
Në këtë rast janë arrestuar 4 persona të dyshuar dhe përveç substancave të dyshuara narkotike janë konfiskuar edhe dëshmi tjera relevante si: para, një revole, automjete dhe telefona mobil.
Poashtu, mbrëmë në dy raste të tjera në Gjakovë dhe në Fushë-Kosovë janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë: 5 shqiptar dhe 1 serb, nën dyshimin për ”blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje të substancave psikotrope analoge” dhe “falsifikim të parasë” dhe po ashtu janë konfiskuar sasi e substancave narkotike dhe dëshmi të tjera që mund të përdoren në procedurë penale.
Daut Hoxha, zyrtar për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun është shprehur se është e shpeshtuar dukuria e përfshirjes së të rinjve në raste me narkotikë.
Hoxha shtoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti luftë e pakompromis do të zhvillohet ndaj të gjithë atyre që merren apo abuzojnë me substanca narkotike dhe në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë sigurinë apo jetën e të rinjëve tanë.