Në UBT u mbajt ceremonia për shpërblimin e personaliteteve nga Presidenti Trump, Akademia Ndërkombëtare e Shkencave dhe Complutense University, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në një ceremoni madhështore të mbajtur në UBT dhe në praninë e dhjetëra akademikëve e përfaqësueseve të institucioneve shtetërore, është bërë ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve për personalitete të shumta, në mesin e të cilëve edhe për disa profesorë të UBT-së, të cilët kanë dhënë kontribut në forma e fusha të ndryshme, për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe për zgjidhjen e problemeve me të cilët ata po përballen.
Për kontributin e saj të madh në sferën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe për vetëdijesimin e qytetarëve dhe institucioneve për probleme të shumta sociale, nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shpërblyer me mirënjohje gazetarja shumëvjeçare, Ramize Murtezi – Shala.
Mirënjohjen për të, në emër të SHBA-ve, e ndau anëtari i Akademisë Ndërkombëtare, prof. dr Otto Fleingenblatt, i cili e vlerësoi kontributin e secilit personalitet që në forma të ndryshme ka ndihmuar në ngritjen e njohurive dhe të vetëdijes së qytetarëve për çështje jo shumë të trajtuara.
“Nuk ka asgjë më të mirë dhe më të kënaqshme sesa të nderosh ata të cilët punojnë me pasion për temat të cilat njerëzit nuk do të donin as t’i diskutonin”, u shpreh Fleingenblatt, duke shtuar se pikërisht këta njerëz janë zëri dhe shpëtimi i Kosovës.
Në po të njëjtën ceremoni, nga Complutense University të Spanjës dhe nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave në Kosovë , janë ndarë mirënjohje edhe për personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar edhe në nivel akademik, të cilat u dhuruan për Ilir Dedën, Besnik Tahirin e Arben Sylejmanin.
Kjo është hera e dytë që ndahen tituj nderi nga universitete të njohura ndërkombëtare dhe nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave, ndërkaq hera e parë që UBT është nikoqire e një ngjarjeje të tillë kaq të rëndësishme.