Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të premten ka diplomuar gjenerata e parë e studentëve në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë.
Në një ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, janë shpërndarë diplomat e para nga Prorektori i UPZ-së, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, u.d. Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Dr. Flamur Shala dhe Prodekani i këtij fakultetit dhe shefi i degës, Prof. Dr. Sejdi Sejdiu.
Prorektori Kryeziu në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se Prizreni gjithmonë ka qenë vatër e dijes dhe ka nxjerrë kuadro nga të gjitha lëmit. “Ju keni një vlerë të shtuar për komunikim me gjithë botën”, tha prorektori Kryeziu, duke shprehë mirënjohje për dekanatin e fakultetit të filologjisë dhe për gjithë profesorët e këtij fakulteti për kontributin e dhënë.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Dr. Flamur Shala në fjalimin e tij në këtë ceremoni solemne tha se “gjenerata Juaj bashkë me ne, profesorët dhe udhëheqësit e Fakultetit, shënon fillesat e punës dhe të studimeve akademike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Ju jeni ata që bashkë me ne i vutë themelet e Degës së Gjuhës Angleze në Fakultetin e Filologjisë”.
Ai më tutje shtoi se dygjuhësia është gjëja e gjallë, që nuk i lidhë vetëm dy kultura por atyre u jep edhe jetë. “Prej gjuhës pulson forca e shpirtit. Me punën dhe angazhimin tuaj akademik për katër vjet radhazi, përfaqësuat dhe përfaqësoni denjësisht gjeneratën e parë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, bëni që secili prej jush, sikur edhe studentët e Gj. shqipe e gjermane, me emër dhe mbiemër të jetë shënuar në historikun e Fakultetit të Filologjisë, në historikun e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Sa herë të përmendet ky Fakultet e ky Universitet, do të thuhet e do të shkruhet emri Juaj”, përfundoi Dekani Shala.
Profesori i degës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Prof. Dr. Sejdi Sejdiu, tha se ndihet i nderuar të flas sot para studentëve në këtë ngjarje të rëndësishme për ju dhe ne. “ Ne, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, bashkë me ju jemi përpjekur, që të arrijmë suksese sa më të mira! Këtu medoemos duhet përmendur prezantimet tuaja të pashembullta në konferencën e mesimdhenesve në Prishtinë dhe hulumtimet tuaja të fundit në fushën e mësimdhënies dhe mesimnxenies së gjuhës angleze në shkollat e komunës se Prizrenit dhe më gjerë”, theksoi profesor Sejdiu.
Donika Thaçi, në emër të studentëve të këtij fakulteti tha se gjatë kësaj kohe, procesorët kanë vërtetuar se vullneti dhe dëshira për dije dhe puna e pa lodhshme nuk ikë pa u vlerësuar. Ajo ju uroi suksese të mëtutjeshme të gjithë të diplomuarve.