Në Varshavë u kremtua 12-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Diaspora shqiptare në Varshavë të Polonisë ka organizuar një manifestim me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Manifestimi u organizua nga shoqata Poloni-Kosovë “KosPol”, si organizata e vetme e shqiptarëve në Poloni.

Festa e Pavarësisë u organizua në një ambient të ngrohtë e miqësor në “Klubokawiarnia Poźyteczna”, ku kryesisht janë të punësuar persona me aftësi të veçanta, por që kanë vullnet të kontribuojnë në shoqëri.

Kryesuesi i shoqatës, Haxhi Dulla, pasi i përshëndeti të pranishmit, bëri një përkujtim të shkurtër të 17 shkurtit 2008, si dhe foli për rrjedhat e përditshme në Kosovë, me theks të veçantë për të arriturat kulturore, por edhe ato politike e shoqërore.

Pastaj për të pranishmit, disa nga anëtarët e shoqatës, me projektet e tyre multimediale, prezantuan Kosovën, të arriturat e saj dhe sfidat, me të cilat ballafaqohet shteti më i ri në Evropë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Aneta Skarzyński, artiste e operës, piktore e poete; Jarosław Rosochacki, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Poloni; Czesław Skarzyński, kryetar i fondacionit “Polonia Union”; Emina Ragipoviç, nga fondacioni “Kultury bez barier”, njëherësh përfaqësuese e komunitetit boshnjak në Poloni; Walentyna Rakiel-Czarnecka nga fondacioni “Dobre Źycie”, Beata Ewa Barnicka nga Centrum Edukacji “Nasze serduszko”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës i përkrah shoqatat dhe organizimet e tilla që me veprimtarinë dhe aktivitetet e tyre mbajnë gjallë kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme