Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sot deklaroi se pret rezultat gjatë negociatave me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras në takimin që duhet të mbahet deri në fund të javës.
Lidhur me pikat e publikuara për zgjidhjen e çështjes së emrit, Zaev konfirmoi se këto kanë qenë pjesë e bisedimeve në takimin e liderëve.
Ndërsa shtoi se bisedimet me Greqinë për emrin janë në fazën finale, dhe ishte decidiv lidhur me atë se a do të ketë referendum apo jo, ku tha se qytetarët do ta thonë fjalën përfundimtare, dhe si periudhë kur do të mbahej referendumi theksoi muajin shtator ose tetor, raporton Tv21 i Maqedonisë.
Kurse para se të mbahej referendumi, marrëveshja eventuale që do të arrihet, duhet që të ratifikohet në Parlament, sepse Zaev deklaroi se është e rëndësishme që qytetarët ta dinë qëndrimin e politikanëve para se të sqarohen në referendum, ku mes tjerash Zaev tha se pret mbështetjen edhe të opozitës për ratifikimin e marrëveshjes.