Gërmimet që po zhvillohen tash e një muaj kanë nxjerrë në pah një varrezë tumolare në fshatin Zabergjë të Klinës. Varret e zbuluara dhe materiali arkeologjik, sipas arkeologëve, dëshmojnë se tuma apo kodërvarri i takon kohës së hekurit.
Sipas disa gjetjeve, arkeologët kanë ardhur në përfundim se ajo i takon shekujve VIII-VI para erës sonë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërtimi i saj është bërë me gurë lokalë dhe si pasojë e punimeve bujqësore dhe hapësirës ku gjendet midis shtëpive të fshatit, tuma është dëmtuar (tumat njihen si varre me kodër.
Në arkeologji quhen kodërvarre. Në qendër të tumës varroset personi kryesor apo me rëndësi si sundimtari, kryefamiljari apo luftëtari. Përreth tij varrosen anëtarët e ngushtë të familjes. Tumat janë karakteristikë e periudhës parahistorike tek ilirët e dardanët).
“Tani jemi në fazën përfundimtare dhe përqendrimi i gërmimit është në pjesën e muranës qendrore të tumës”, ka thënë arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Premtim Alaj, i cili i prin projektit bashkë me kolegun e tij, Shafi Gashi.
Sipas tij, gërmimet e deritashme dëshmojnë se tuma është e përbërë nga murana qendrore, e cila ka shërbyer si bazë fillestare e saj. Ka thënë se murana është ndërtuar me gurë të terrenit të përmasave mesatare e të vegjël dhe me shumë pak dhe. Ka shpjeguar se si pjesë e tumës është edhe unaza, e cila e rrethon muranën.