Negociatat në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë për më shumë se dy orë në objektin e Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Isa Mustafa është duke i prirë ekipit të LDK’së i përbërë nga nënkryetarët Lutfi Haziri e Agim Veliu, ndërkohë Albin Kurti është shoqëruar nga Besnik Bislimi.
Ky takim i pasdites vjen pasi dy partitë paraditen e sotme kanë mbajtur takime me kryesitë e partive.
Nga LDK kanë thënë se janë unik dhe shpresojnë në arritjen e marrëveshjes, ndërkohë nga VV kanë treguar se ngërçi për postin e presidentit vazhdon të jetë problematik dhe kanë kërkuar që LDK të mos barrikadohet.
Në takimin e sotëm nuk është duke marrë fare pjesë Vjosa Osmani, e cila paraditen e sotme është përplasur me Veliun, për shkak të një takimi në hollin e Kuvendit me Kurtin gjatë regjistrimit si deputet.