Drejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaqi, është kthyer në Kosovë, pas lirimit nga paraburgimi në Serbi.
Në pikën kufitare në Merdar, ai është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, si dhe nga familjarë të tij. Ai, po ashtu, shoqërohej nga “ambasadori” i Kosovës në Serbi.
Thaqi falënderoi institucionet e Kosovës për të gjithë atë që kanë bërë institucionet e Kosovës.
“Do të filloj nga nesër t’ia kthej borxhin, me punë, këtij shteti… Faleminderit për mikpritjen dhe faleminderit institucioneve që e mundësuan lirimin tim”, u shpreh ai.
“Nuk dua të hyj në detaje sesi ka ndodhur arrestimi”, ka thënë Thaqi.
Nehat Thaqi, ishte arrestuar mëngjesin e 29 shtatorit, në kufirin e Dheut të Bardhë. Dy ditë më vonë ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai është liruar pas më shumë se një muaji paraburgim që mbajti në Serbi.