Në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë mbajtur homazhe për nder të këngëtares së madhe, Nexhmije Pagarusha, e cila u nda nga jeta të premten në moshën 86-vjeçare.
Nën tingujt e muzikës së saj, kortezhi është nisur nga Teatri Kombëtar, duke parakaluar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit janë mbledhur shumë qytetarë, miq e bashkëpunëtorë. Nderime kanë bërë dhe personalitete të jetës kulturore e politike, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
“Bilbili i Kosovës” do të varroset në fshatin e saj të lindjes në Pagarushë të Malishevës, sipas amanetit të saj, me një ceremoni familjare.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe ka shpallur 9 shkurtin – ditë zie shtetërore.
Homazhe në Teatrin Kombëtar janë bërë edhe ditën e shtunë, me ç’rast familjarët e këngëtares tashmë të ndjerë kanë pritur shumë kolegë, zyrtarë institucionalë e dashamirë të artit të saj, të cilët janë nënshkruar në librin e kujtimeve.