Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Deçan, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një gruaje, e cila ka raportuar në Polici se vajza e saj 15-vjeçare është keqpërdorur seksualisht nga një person.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi vajza ishte larguar nga shtëpia dhe kishte qëndruar me një person, i cili sipas informacioneve të para dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Përballë kësaj situate, pasi nëna e viktimës e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, vendosi të kërkojë raportojë, duke e raportuar rastin në Polici.
Posa organet e rendit janë vënë në dijeni për rastin, është intervistuar edhe viktima, e cila ka deklaruar se vetëm kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie intime, me personin me të cilin ishte njoftuar kohë më parë.
Si rezultat i denoncimit, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi” dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.