Nënçmimi me shtesa, paknaqësitë me paga – 60 policë dhanë dorëheqje më 2023

Prishtinë | 29 Tet 2023 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Dy javë më parë Ministria e Financave ka marr vendim për punëtorët e sektorit publik që punojnë si kujdestar, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës për ngritjen e tavanit të kompensimeve.

Ky vendim do të vlejë për muajin tetor, nëntor dhe dhjetor.

Ngritjen e tavanit të kompensimeve i janë gëzuar Policia e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Zeqiri ka thënë se mjetet do u mjaftojnë policëve pas këtij vendimi.

Sipas Zeqirit, ndryshimi i tavanit për kompensime ndryshoi pas trazirave në veri.

“Në veri ata kanë punuar nga 24 orë e me javë të tëra kanë qenë në vend të punës kjo ka qenë arsyeja që është ngritë ky tavan, nuk mund të mbulohen të gjitha orët shtesë me atë që është përcaktuar në Ligjin e Pagave të cilat ato mjete nuk mjaftojnë as për dy muaj. Me këtë rritje mjaftojnë për policët tashmë se nga 1 % ka shkuar në 20%”, u shpreh Zeqiri.

Kryesindikalisti i policisë ka shpjeguar në detaje vendimin e ministrit të Financave.

“Vendimi i Muratit ishte një rritje e tavanit për orët shtesë që punohet mbas orarit, për ditët e vikendeve dhe festave. Ky vendim nuk ka të bëjë me shtesat e rrezikshmërisë. Nëse nuk ish marr ky vendim nuk do të paguheshin orët shtesë që i punojnë pas orarit të punës”, tha Zeqiri.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt të premten, ka propozuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Ai ka treguar shtesat për secilën kategori.

“Shtesat për njësitë elitare, Njësia speciale intervenuese, Njësia për ndërhyrje të shpejtë, njësia për mbrojte të afër janë nga 150 euro shtesë pagës bazë, 120 euro shtesë për njësitë speciale operative K9 dhe njësinë për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat që njëherazi përbejnë numrin më të madh të policëve do të marrin nga 60 euro në muaj, kurse policëve që angazhohen në sigurim të objekteve dhe ata që angazhohen në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”, është shprehur Kurti.

Imer Zeqiri: Nga janari, 60 policë dhanë dorëheqje, të shqetësohen organet shtetërore

Nga janari i këtij viti deri tani, dhanë dorëheqje nga vendit i punës 60 policë.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Ai thotë se organet shtetërore duhet të shqetësohen për këto dorëheqje.

Zeqiri paralajmëron se vendi do të mbetët pa profesionistë, nëse kushtet nuk përmirësohen.

“Pakënaqësitë përveç që i shprehin verbalisht me sindikatën ata po tregojnë pakënaqësinë edhe me dorëheqjen nga puna që vetëm këtë vit kemi 60 dorëheqje vullnetare për kushtet dhe pagat e ulëta. Nëse kërkesat nuk plotësohen numri i largimeve është në rritje dhe duhet të shqetësohen organet shtetërore”, shpjegoi Zeqiri.

Kryesindikalisti i Policisë: Sigurimi shëndetësor do duhej të bëhej para dy vitesh, asnjë Qeveri nuk e realizoi

Hall tjetër përveç shtesave të rrezikshmërisë, pjesëtaret e policisë kanë edhe sigurimin shëndetësor.

Imer Zeqiri, kreu i Sindikatës së Policisë thotë se ky ligj është dashur të bëhej para dy vitesh.

Ai për Front Online ka deklaruar se asnjëra Qeveri nuk e realizoi këtë ligj ani pse e kanë pasur obligim.

Zeqiri ka bërë të ditur se kanë marr një përgjigje nga MF-ja për këtë çështje.

“Po të përfilleshin kërkesat tona sigurimi shëndetësor do duhej të bëhej para një viti ose dy, secila qeveria ka pasur obligim ta bëjë këtë ligj. Përgjigje nga ministria e financave kemi marr që po pritët të bëhet sigurimi shëndetësor në nivel vendi për gjithë sektorin publik por kjo do të vonohet”, përfundoi Zeqiri për Front Online.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim një projektrezolutë që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit. Votimi u shty për seancën tjetër. Në seancën e jashtëzakonshme të 19 tetorit nuk murrën pjesë deputetët e VV-së.

Seanca e jashtëzakonshme u thirr nga partitë opozitare. Edhe një tjetër seancë për këtë çështje ishte thirrur më 12 tetor, por edhe ajo dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit, pasi deputetët e LVV-së e bojkotuan atë.

Të ngjashme