Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, i cili ndodhet për vizitë në Francë, ka marrë pjesë në pritjen për bizneset e diasporës dhe ato të Kosovës në Ambasadën e e vendit tonë në Paris. Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, ai me këtë rast ka takuar edhe nënkryetarin e qytetit të Parisit, Christophe Girard.
Me këtë të fundit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit kulturor, në veçanti në fushën e artit vizual, ndërsa si person me ndikim në politikën franceze, nga Girard u kërkua që të ushtrojë ndikimin për sigurimin e mbështetjes për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kam qenë në Prizren dhe e kam vizituar DokuFestin… Është një festival i përmasave botërore, të cilin jam i vendosur ta mbështes”, tha Girard, duke u shprehur i informuar për vështirësitë e kosovarëve për të udhëtuar në vendet e BE-së. Ai premtoi se do të bëjë çfarëdo që mundet që të përçohet mesazhi i duhur te njerëzit e duhur.
Girard, po ashtu, u shpreh i gatshëm që përmes bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetit të Parisit të themelohet edhe një qendër kulturore, e cila është shumë e rëndësishme në këtë qytet.
Gashi e falënderoi për mbështetjen dhe për idetë që ofroi, dhe e ftoi Girard për një vizitë në Prishtinë.
Gjatë ditës, Gashi takoi edhe përfaqësuesit e bizneseve kosovare, të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre në panairin më të madh botëror të ushqimit, SIAL, si dhe kryetarin e Rrjetit të bizneseve shqiptare në Francë, Azis Vardar.
“Nga bisedat që pata, kuptova se panairi, në të cilin pjesëmarrjen e kemi financuar ne si Qeveri, është treguar i suksesshëm, duke dhënë rezultat disa kontrata e marrëveshje të nënshkruara… Kjo është një shenjë inkurajuese që ta vazhdojmë këtë ndihmë për bizneset tona, të vendosim ura bashkëpunimi me bizneset shqiptare në diasporë dhe bashkërisht të punojmë për një mirëqenie sociale”, tha Gashi.
Bizneset edhe njëherë kanë falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetjen e ofruar, përderisa morën garanci për mbështetje edhe në panairet e ngjashme në të ardhmen.