Nënkryetari i Klinës i kërkon falje familjes Demaçi për fyerjen

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 08:32 | Nga

Nënkryetari i Klinës, Besim Hoti (LDK), gjatë një prononcimi për KD-në, të mërkurën, i ka kërkuar falje vetëm familjes së atdhetarit të ndjerë Adem Demaçi, për një postim që ai kishte bërë në profilin e tij në rrjetin social Facebook, një ditë pas vdekjes së Demaçit.

“Përçarësi numër dy i shqiptarëve ka ikur nga kjo botë, pritet të ikë edhe shpendkeqja që është përçarësi numër një. Këta dy monstrumë i bënë pikë e pesë shqiptarët”, ka qenë postimi i Hotit. Ai, sipas tij, ka qenë një mendim i tij i lirë dhe privat dhe nuk paraqet qëndrimin e askujt tjetër e as të subjektit të tij, LDK. Të njëjtin postim ai e kishte larguar menjëherë, me mendimin që mos po i bënte dëm dikujt, pas reagimeve të pasuara, shkruan sot Koha Ditore.

“Ai mendim është mendim personal imi dhe unë nuk e kam fyer e sharë askënd, ndonëse vetë kam qenë i fyer e sharë qe 20 vjet prej të tjerëve. Unë jam veprimtar i LDK-së prej themelimit të partisë dhe kurrë në jetë timen nuk e kam sharë atë e as nuk e kam ofenduar, por iu kam përmbajtur fjalëve të Ibrahim Rugovës, që ta lëmë atë se ai (Demaçi) është njëri i madh dhe për të gjithë ne ai ka qenë njëri i madh”, është shprehur ai për herë të parë publikisht për postimin e tij. Megjithatë ai pohon se ka pasur një arsye pse e kishte postuar atë koment për Demaçin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme