Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi ka kritikuar paraqitjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në një postim në rrjetin social facebook, Mjekiqi tha se Kryediplomatja Gërvalla u prezantua “pa ndonjë koncept” por me shumë emocione në KS të OKB-së.
“Në paraqitjen e saj para Këshillit të Sigurimit mbrëmë, Ministrja e Punëve të Jashtme znj. Donika Gërvalla, gjatë replikës foli pa ndonjë koncept e me shumë emocione duke personalizuar krejtësisht debatin”, tha Mjekiqi.
“Si shkohet në këtë ngjarje pa përgatitur edhe argumentet për replikë? Nuk ka asgjë të paditur nga ajo që propagandon Serbia tash e 20 vjet. E argumentet janë në anën tonë”, tha ajo.
Mjekiqi, me gjithë respektin që tha se ka ndaj saj, “Gërvalla duhet pasur parasysh që ajo përfaqëson gjithë vendin në ngjarje të tilla dhe në replikën e saj nuk ishte as dinjitoze e as diplomatike.”