Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar Kalendarin e përbashkët kulturor, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, si nënshkrues të këtij Kalendari janë shprehur se kjo është një marrëveshje mes dy familjeve të mëdha, të cilat nuk do të ndalen vetëm në këtë, por do shënojnë edhe aktivitete të tjera.
Gashi tha se ky ka qenë përkushtimi i ministrisë ndërsa e quajti këtë një moment të rëndësishëm.
“Është kënaqësi e veçantë të jem në Tiranë për ta rinënshkruar programin kulturor. Një Kalendar i cili paraqet aktivitete të shumta kulturore edhe këndej edhe andej kufirit. Është fat i mirë që tashmë komuniteti artistik janë duke vepruar në një familje të madhe të përbashkët mes dy vendeve tona. Ka qenë përkushtim i ministrisë për të arriur në përfundim të këtij dokumenti. Është ditë e rëndësishme për komunitetin artistik dhe për dy vendet tona sepse tashmë kemi krijuar një traditë të aktiviteteve të përbashkëta kulturore. Është një moment i rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë dhe komunitetin tonë kulturor”, tha Gashi.
Ai tha se në takim u diskutua edhe krijimi i një fondi të përbashkët kulturor, tashmë i përmendur disa herë, për të cilin tha se mund të shpresojnë që të krijohet në fund të vitit.
“Sot në takim diskutuam që është momenti i krijimi i një fondi të përbashkët kulturor. Kështu që nga institucionet kulturore të kalojmë në aktivitete të pavarura kulturore. Besoj që në muajt në vazhdim do gjejmë gjuhë të përbashkët që të krijojmë një fond të përbashkët në fund të vitit. Si ministër dhe si qeveri do ta kenë mbështetjen tonë që të kemi zhvillim sa më të madh kulturor”, tha Gashi.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha se kultura i ka kapërcyer kufijtë mes këtyre dy shteteve.
“Jemi disa kohë për të përfunduar këtë që e quajmë marrëveshje mes një familje të madhe. Formalitetet janë gjithnjë të nevojshme sepse jemi të qartë që kornizat e sakta ligjore e bëjnë bazën e shëndoshë që tregojnë edhe traditën që ka kohë që ka filluar. Kultura ka treguar që ka lidhur këto dy vende. Kufijtë, kultura i ka kapërcyer shumë shpejt dhe aktivitetet janë vetëm një pikë, kontakte të vazhdueshme, por që jemi të sigurt se do ketë edhe të tjera. Kjo traditë ka dëshmuar se po fton gjithnjë e më tepër të tjerë njerëz. Jam krenare që me homologun tim kam ndarë edhe ide të tjera në vazhdim”, tha Margariti, raporton EO.